Plagos njerkun pas divorcit të prindërve
Flamur Meçi, 20 vjeç, është arrestuar nga policia me akuzën e vrasjes me paramendim dhe armëmbajtje pa leje
Latif Sokoli, 52 vjeç, mbeti i plagosur me armë zjarri të premten në mbrëmje pranë shtëpisë së tij
KAVAJË- Pritë në shtëpi njerkut për ta vrarë pas divorcit të prindërve. Policia arreston me akuzën e vrasjes Flamur Meçin, nga fshati Prezë e Tiranës, ndërsa i plagosuri Latif Sokoli, 52 vjeç, banues në Gosë, është dërguar në spitalin e Durrësit ku ka marrë mjekimin për shkak të plagëve të marra. Shkak për ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e të premtes rreth orës 22:00 në fshatin Gosë është bërë procesi i divorcit të prindërve të tij, pasi nëna kishte krijuar një lidhje tjetër me Latif Sokolin, gjatë kohës që ajo kishte punuar si kameriere në një lokal në Golem të Kavajës.
Policia ka arrestuar në flagrancë autorin e krimit me akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë për motive xhelozie dhe armëmbajtjes pa leje. Ndërkaq, prej më tepër se një muaji, nëna e Meçit, sipas burimeve të policisë, bashkëjetonte në shtëpinë e njeriut që tashmë po bëhej bashkëshorti i saj. Në të njëjtën kohë, gruaja ishte larguar nga shtëpia e bashkëshortit të saj të parë dhe martesa me të sipas burimeve të policisë ishte drejt divorcit në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë. Kjo situatë, sipas burimeve të policisë, dyshohet se ka qenë shkaku i krimit të djeshëm.
Prita
Pasditen e të premtes dyshohet se i arrestuari për vrasjen e mbetur në tentativë ndaj njerkut të tij, ka udhëtuar nga banesa e tij në Prezë në drejtim të Kavajës. Ende nuk dihet nëse kishte udhëtuar bashkë me armën me vete, apo atë e kishte siguruar në Kavajë, tek ndonjë i njohur i tij. Sapo ka mbërritur në Gosë, Meçi, është drejtuar për në banesën e njerkut të tij, për të kryer "hakmarrjen". Disa orë më vonë, rreth orës 22:00, ai qe afruar pranë banesës njëkatëshe të Sokolit, ka pritur aty pak kohë deri sa njerku i tij ka dalë nga banesa, për punë të tij personale.
52 -vjeçari Sokoli, është qëlluar në krah, duke marrë një plagë të rëndë. Pas tentativës së dështuar për të vrarë njerkun, i riu është munduar të largohet nga Kavaja, për t'u kthyer në Prezë, por është ndaluar nga efektivët e policisë së komisariatit të Kavajës, të cilët i kanë vënë menjëherë prangat duke e dërguar në komisariat. I plagosuri, sipas burimeve të policisë, është dërguar në spitalin e qytetit të Durrësit, ku pas ndihmës së dhënë ka mundur të kalojë rrezikun për jetën.
Pas marrjes në pyetje të autorit të dyshuar të krimit, ai ka deklaruar se e kishte kryer krimin për motive xhelozie. Ndërkaq edhe i plagosuri ka pohuar të njëjtin version. Pas veprimeve hetimore, policia ka arrestuar në flagrancë Mecin, me akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë, ndërsa arma e krimit, një pushkë karabinë model 56 me disa fishekë si dhe disa predha të gjetura në vendin e ngjarjes janë administruar nga hetuesit në cilësinë e provave materiale.