E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy të plagosur në 2 aksidente

Një grua dhe një fëmijë mbetën të plagosur në dy raste të ndryshme ndërsa policia ndaloi një prej të dyshuarve


TIRANE- Dy persona kanë mbetur të plagosur në dy aksidente të ndryshme, në segmentet rrugore të kryeqytetit, ndërsa policia ka arrestuar një nga drejtuesit e mjeteve të përfshirë në këto raste.


Dritan Bogdani, 22 vjeç, banues në rrugën "Aleksandër Moisiu", është proceduar penalisht nga specialistët e hetimit të aksidenteve, pasi rreth orës 09.20 të paradites së të shtunës, në rrugën "Myslym Keta", në Tufinë, ka qenë duke udhëtuar me mjetin e markës "Mercedes Benz", me targa TR 2847 R, ndërsa ka përplasur të miturën Hygerta Lalaj, 8 vjeçe, banuese në Tufinë.


Vetë drejtuesi i mjetit i ka ardhur në ndihmë vajzës 8- vjeçare, duke e dërguar për në spital. Pas ndihmës së dhënë nga mjekët ajo ka kaluar rrezikun për jetën dhe ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.


Në aksidentin e dytë, Viktor Dimo, 22 vjeç, me mjetin e tij me targa TR 2480 J, dyshohet se po në Tufinë, ka përplasur Xhemile Kamberajn, 70 vjeçe. Pas aksidentit ai është larguar nga vendngjarja, për t'i shpëtuar hetimit të policisë, por qytetarët në vendin e ngjarjes kanë identifikuar targën, duke bërë që policia ta shpallte në kërkim.


Pas identifikimit të tij, polciia ka ndaluar drejtuesin e mjetit që shkaktoi edhe aksidentimin e të moshuarës. Ai sipas burimeve të policisë akuzohet për shkelje të rregullave të qarkullimit me pasojë plagosjen e rëndë të një gruaje si dhe largimin nga vendi i aksidentit.


Vetëgjyqësia, procedim tre personave


Tre kushërinj janë proceduar penalisht nga policia e Tiranës dhe janë dërguar për ndjekje penale në gjendje të lirë në prokurori me akuzën e vetëgjyqësisë për motive pronësie.


Tre personat e proceduar nga policia janë denoncuar në komisariatin e policisë nr.1, nga pronari i një firme ndërtimi me pretendimin se nuk po lejonin vazhdimin e punimeve për ngritjen e një objekti. Hajdar Gjuzi,


Fiqiri Besim Gjuzi, 53 vjeç, dhe Ramazan Refik Gjuzi, 50 vjeç, janë dërguar nga policia për ndjekje penale pasi me motive pronësie kanë bllokuar punimet e një objekti, ndërsa pronari i i firmës i paditi ata në polici.

Merret në mbrojtje gruaja e dhunuar


Një grua tjetër është marrë në mbrojtje nga policia, pasi ka rënë pre e dhunës bashkëshortore. Ajo ruhet nga punonjësit e policisë dhe do të jetë gjykata ajo që do të vendosë sesi do vejë fati i saj.


Drejtoria e Policisë së Tiranës shpjegoi se nga komisariati nr. 5, që mbulon zonën e Kamzës, u plotësua kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme, për shtetasen Anila Muharrem Roshi, 25 vjeçe, banuese në Tiranë.


Ajo u mor në mbrojtje, sepse bashkëshorti Elton Roshi, 25 vjeç, ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj. Sipas policisë, ky krim është kryer disa herë dhe prandaj është vlerësuar që ajo të merret në mbrojtje, para se të kryhet ndonjë krim edhe më i rëndë.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›