Sherr me thika, plagosen tre, autorët në kërkim
KUÇOVË/ Alkooli i tepërt ka qenë shkak për një grindje që la të plagosur tre të rinj, shokë midis tyre
KUÇOVË- Një sherr për motive të dobëta ka shkaktuar tre të plagosur. Ngjarja ndodhi në një lokal të Kuçovës, në lagjen "Llukan Prifti", ku u përfshinë 5 vetë.
Burime të policisë bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur për shkak të një sherri banal, i cili ka përfunduar në përleshje me thika të 5 të rinjve, nga ku tre kanë mbetur të plagosur rëndë, ndërkohë që njëri prej tyre mendohet të niset për në Tiranë, për shkak se ka dëmtime në vena.
Protagonistë të këtij sherri kanë qenë Sergent Pjetri, 25 vjeç, dhe Ilir Asqeriu, 21 vjeç, të cilët kanë sulmuar Erald Kaçin, 18 vjeç, Tauland Hoxhën, 22 vjeç, Mario Panon, 23 vjeç, që ishin në lokal për të pirë. Por gjatë konsumimit të pijeve ata janë grindur me njëri-tjetrin për tekat e moshës dhe nën avujt e alkoolit.
Ka qenë ora 22:00 e mbrëmjes së të shtunës kur të rinjtë ishin futur në lokal në lagjen "Llukan Prifti" dhe pasi kishin konsumuar një sasi të madhe alkooli, kanë filluar të grinden me njëri-tjetrin pa ndonjë motiv serioz. Të stimuluar nga alkooli të rinjtë kanë filluar që të shajnë dhe ofendohen mes tyre për të degraduar më pas në goditje me grushta e për t'ia lënë vendin thikave.
Shtetasi Sergent Pjetri dhe Ilir Asqeriu kanë nxjerrë thikat dhe kanë sulmuar tre shokët e tyre: Erald Kaçin, Tauland Hoxhën e Mario Panon, duke iu shkaktuar plagë të rënda në bark dhe brinjë.
Menjëherë në vendngjarje ka shkuar grupi gatshëm i policisë, i cili në fillim ka këqyrur vendin e ngjarjes dhe më pas ka identifikuar autorët. I menjëhershëm ka qenë edhe transportimi i të plagosurve për në spitalin rajonal të Beratit, ku kanë marrë mjekimet e duhura.
Burime të spitalit bëjnë të ditur se tre të plagosurit, edhe pse kanë plagë të rënda janë jashtë rrezikut për jetën. Policia po punon për kapjen e dy autorëve të kësaj ngjarjeje, Sergent Pjetrit dhe Ilir Asqeriut, të cilët pas ngjarjes janë larguar në drejtim të paditur.
-------------------------------------------------------------------------------------------
DURRËS/ Pas një zënke të çastit, Merko ka marrë kallashnikovin dhe ka qëlluar 5 plumba drejt Nurkës
Grinden dy përdorues droge, qëllon me armë shokun
DURRËS - Plagoset me armë nga shoku i tij një 25-vjeçar, ndërsa policia ka mundur të vërë në pranga vetëm pak minuta më pas autorin e plagosjes, i cili nuk ka bërë rezistencë, pavarësisht tentativës për t'u larguar.
Ilir Nurka mësohet të jetë qëlluar me automatik kallashnikov nga 31-vjeçari Mikelian Merko pas një zënke të çastit, ndërsa burime nga uniformat blu bëjnë të ditur se dy personazhet janë përdorues droge dhe ishin miq njëri me tjetrin. Policia sekuestroi në vendngjarje një automatik kallashnikov, si dhe 5 gëzhoja, ndërsa arrestoi autorin.
Ngjarja
Sipas burimeve të policisë, ngjarja ka ndodhur në qendër të Shijakut, tek vendi i njohur si tregu i fruta- perimeve. Krismat janë regjistruar rreth orës 19:20. Mësohet se 25-vjeçari Ilir Nurka dhe Mikelian Merko, shokë me njëri-tjetrin janë konfliktuar. Në çast 31-vjeçari ka marrë armën kallashnikov, të cilën e mbante pa leje dhe ka qëlluar me një breshëri të shkurtër prej 5 goditjesh drejt Nurkës.
Nga plumbat e qëlluar, vetëm njëri ka prekur 25-vjeçarin, duke e zënë në këmbë. Pas kësaj, të pranishmit në vendngjarje, të cilët kanë ndërhyrë për eliminimin e sherrit, e kanë dërguar të plagosurin menjëherë në spital, ku i është nënshtruar operacionit dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Arrestimi
Ndërkohë, prangosja e autorit të ngjarjes është realizuar brenda 10 minutash. Autori i krimit, pasi ka zbrazur plumbat mbi mikun e tij të mëparshëm, ka tentuar të largohet në këmbë nga vendngjarja.
Por, në ndjekje të tij janë vënë uniformat blu, të cilat duket se janë ndodhur pranë për shkak të një kursi trajnimi që po realizonin. Kështu, sipas policisë, 31-vjeçari është ngjitur në tarracën e njërës prej magazinave të tregut të fruta-perimeve, por është parë nga policët dhe është arrestuar, ndërsa nuk ka bërë rezistencë.
Pas arrestimit, Mikelian Merko është dërguar në dhomat e paraburgimit të drejtorisë së policisë së qarkut të Durrësit. Ai akuzohet për vrasje të mbetur në tentativë. Burime nga policia bëjnë të ditur se dy personat njiheshin si miq mes tyre dhe të dy ishin përdorues droge.