Apeli, 17 vjet burg ish- anëtarit të "bandës" së Niklës
Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda Dënoi dje Petrit Lleshin, për disa vepra penale
TIRANË- Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, pas shqyrtimit të dosjes penale në ngarkim të të pandehurit Petrit Lleshi, i akuzuar si një nga krerët e "bandës" së Niklës vendosi të lërë në fuqi masën e dënimit dhënë nga shkalla e parë, ku është dënuar përfundimisht me 17 vjet heqje lirie. Togat e zeza të kësaj gjykate, pasi shqyrtuan ankimin e të pandehurit Lleshi në lidhje me vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë dhe dëgjuan palët në proces, vendosen të lënë në fuqi vendimin e datës 9 shkurt 2008.
Vendim ky, ku i pandehuri Petrit Lleshi u deklarua fajtor për kryerjen e veprave penale të "vrasjes me paramendim të mbetur në tentativë"; "rrëmbimit të personit me qëllim përfitimi"; "vjedhjen me dhunë"; "vjedhjen me armë"; "vjedhje" dhe "mbajtje pa leje të armëve luftarake", të gjitha këto në bashkëpunim, ku u dënua me 17 vjet burg. Sipas vendimit, i pandehuri Lleshi në bashkëpunim me persona të tjerë, të dënuar nga kjo gjykatë kanë marrë peng më 18 nëntor 1999 shtetasin Kujtim Shtufi duke e dërguar në një banesë të braktisur në fshatin Tapizë të Krujës, dhe pak orë më pas, kanë telefonuar Dodë Lulin duke i kërkuar 50 milionë lireta për ta liruar.
Pas presionit të policisë, ata kanë lënë të lirë Shtufin, vetëm pasi i kanë marrë 20 mijë lekë, 300 mijë lireta si dhe një zinxhir floriri. Gjithashtu, në bashkëpunim me "anëtarët" e tjerë të kësaj bande i pandehuri Lleshi më 10 qershor të vitit 2000 kanë tentuar të vrasin shtetasin Bledar Ulliri. Ata e kanë ndjekur Ullirin nga pas dhe pasi i kanë prerë rrugën me makinë e kanë qëlluar me breshëri automatiku. Fatmirësisht Ulliri ka mundur të shpëtojë duke ikur nga vendi i ngjarjes me makinë. Krimet e kësaj "bande" sipas vendimit të gjykatës, nuk kanë ndalur këtu.
Më datë 10 korrik të vitit 2000, i pandehuri Lleshi në bashkëpunim me shokët e tij, të pajisur me shkopinj i kanë zënë rrugën dy kambistëve Avni dhe Ramiz Gjuta. Me anë të kërcënimit, ata kanë mundur që t'iu marrin atyre shumën e 1.4 milionë lekëve të reja dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes, afër "Fushës së Aviacionit". Ndërkaq, sipas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, bashkëpunëtoret e të pandehurit Lleshi, janë dënuar për akuza dhe episode të ndryshme, gjithmonë në kuadër të "bandës". Kështu, sipas vendimit të datës 9 shkurt 2008, i pandehuri Flamur Haka është dënuar me 16 vjet burg, i pandehuri Kreshnik Berisha, me 17 vjet burg, Mustafa Xheka, me 11 vjet burg, Edmond Sina, me 10 vjet burg, Agron Tafani, me 6 vjet burg dhe Ervin Belba me 5 vjet burg.