Tmerr në Gjirokastër, burri masakron me hekur të shoqen
Halil Roshi ka vrarë gruan e tij për arsye xhelozie. Fëmijët: Ziheshin shpesh por nuk menduam se babai do ta vriste
GJIROKASTËR- Krimi brenda familjes është rikthyer frikshëm dje në Gjirokastër teksa një burrë ka ekzekutuar të shoqen me sende të forta. Vrasja që ka si motiv xhelozinë e shfrenuar ka ndodhur në orët e natës teksa në shtëpi kanë qenë edhe dy nga katër fëmijët e çiftit. Këta kanë qenë njerëzit e parë që kanë parë kufomën e gjakosur të nënës së tyre. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Valare dhe Halil Roshi është autori i vrasjes së gruas të tij, Donikës. Sipas fqinjëve të familjes Roshi, Halili nuk lejonte të shoqen as që të qëndronte në oborr duke i thënë shpesh “Gratë kanë hijen e tyre dhe ty nuk duhet të të shohin”.
Ngjarja ka ndodhur në orët e mesnatës duke u gdhirë e premtja ku gjithçka ka nisur në dhomën e gjumit të çiftit. Sipas fqinjëve, debatet e ashpra mes çiftit kanë nisur që në orët e mbrëmjes së një dite më parë kur me zë të lartë Halili i ishte drejtuar dhjetëra herë të shoqes që të mos dilte nga shtëpia pa lejen e tij. Në sherrin e lindur para aktit të krimit, kanë marrë pjesë edhe dy fëmijët që banojnë aktualisht në fshat pasi dy fëmijët e tjerë 20 dhe 24 vjeç djalë e vajzë, studiojnë në Tiranë. Fqinjët kanë dëgjuar gjatë të gjithë natës sharjet e burrit por të mësuar me këtë gjë askush prej tyre nuk i ka kushtuar shumë vëmendje. Por pas mesnatës Halili ka kryer krimin makabër. Fëmijët kishin rënë të flinin dhe ai ka marrë një hekur me majë, me të cilin ka kërcënuar të shoqen. Kur ajo i ka kthyer fjalën, Halil Roshi e ka goditur tre herë në kokë të shoqen. Vrasësi është larguar me vrap duke lënë përdhe të shoqen e gjakosur ndërsa me vete ka marrë edhe armën e krimit. Teksa po jepte shpirt, gruaja ka mundur që të telefonojë kunatin e saj në Tiranë, vëllanë e burrit, i cili më pas ia ka dhënë lajmin e keq fëmijëve të çiftit.
Të parët që e kanë zbuluar krimin ishin dy djemtë e çiftit, të cilët pasi kanë parë nënën të shtrirë me gjakun që i rridhte nga koka, nxituan tek komshinjtë për t’ua treguar atë që kishte ndodhur. Kur ata kanë hyrë në dhomë, nëna e tyre kishte ende telefonin në dorë. “Prej kohësh prindërit tanë grindeshin por kurrsesi nuk na shkonte ndër mendje të përfundonte në këtë mënyrë jeta e nënës sonë”,- janë shprehur dy djemtë e çiftit Roshi. Nëna e tyre Donika, ishte e papunë dhe rriste një lopë duke u marrë tërë ditën me punët e shtëpisë, ndërsa Halili, punonte në firmën që merret me ndërtimin e autostradës Gjirokastër-Tepelenë. Tronditja e fëmijëve ka qenë shumë e madhe ndërsa fqinjët e tyre kanë njoftuar policinë e Gjirokastrës, e cila ka mbërritur menjëherë në vendngjarje duke kryer veprimet procedurale. Specialistët e Krimeve të Rënda dhe grupi hetimor kanë konstatuar në vendngjarje se krimi është kryer me një mjet të fortë metalik por i pamundur për t’u identifikuar pasi ishte marrë me vete nga vrasësi. Menjëherë forca të shumta të policisë rrethuan zonën dhe filluan me nxitim krehjen e hapësirës rurale me një diametër dy km katror për të bërë të mundur kapjen e autorit. Madje ata kanë ngritur edhe postblloqe në akset primare dhe sekondare. ARRESTIMI
Gracka që prangosi Halil Roshin
GJIROKASTËR- Pas 12 orësh kërkimesh, sektori i Krimit të Organizuar në Policinë e Gjirokastrës me në krye shefin e tij Afuz Basha, kanë bërë të mundur kapjen e autorit të vrasjes Halil Roshi. Ky i fundit ka marrë arratinë mëngjesin e djeshëm duke marrë me vete edhe mjetin me të cilin kishte qëlluar për vdekje të shoqen. Për arrestimin e tij policia ka përdorur si karrem një telefonatë. Agjentët kanë telefonuar vrasësin dhe i janë prezantuar si dy njerëz nga Tepelena që ishin shumë të gatshëm t’i gjenin një strehë për t’i shpëtuar policisë. Roshi e ka besuar këtë gjë dhe ka shkuar vetë në vendin e takimit. Ai ishte fshehur për 12 orë në tunelet që shërbenin për mbulimin e tankeve në ish-repartin ushtarak në fshatin “Arshi Lengo”, rreth dy kilometra në juglindje të vendit të krimit. Por ai doli që aty për të takuar “miqtë” nga Tepelena, të cilët rezultuan të ishin efektivët e policisë që i vunë prangat. Krimi i fundit në familje në Gjirokastër, ka ndodhur 20 muaj më parë kur një grua u mbyt me litar ngaburri 58- vjeçar për shkaqe xhelozie.