Shkodër, asgjësohen 22 mijë rrënjë kanabis
SHKODËR- Rreth 22.000 rrënjë bimë narkotike kanabis sativa janë asgjësuar pasditen e djeshme në zonën e Shkodrës. Operacioni është kryer në komunën e Shkrelit nga policia e Shkodrës por edhe NFSH-të e mbërritur nga Tirana. Rreth 120 forca policie kanë kontrolluar Bjeshkët e Draganit dhe Malin e Ducajve në komunën Shkrel, ku edheështë gjetur e sekuestruar rreth 22.000 rrënjë bimë kanabis sativa. Ajo ishte e mbjellë në parcela të mëdha ku çdo njëra prej tyre kishte 4000- 6000 rrënjë bimë narkotike. Parcelat ishin të shpërndara veçmas njëra- tjetrës në zona të shpyllëzuara, të fshehura mes pyjesh e drurësh të lartë. Operacioni është drejtuar nga drejtori i policisë së Shkodrës, Nikolin Bala, sipas të cilit, ndonëse bima narkotike është e mbjellë në toka pa pronar, po punohet për identifikimin e kultivuesve të saj. Ata mendohet se janë banorë të fshatrave të kësaj zone. Madje sipas Balës, janë shoqëruar disa persona që dyshohet se kanë lidhje me kultivimin e bimës narkotike. Një ditë më parë, në Shkodër janë asgjësuar rreth 10.000 bimë narkotike. A. Dushi