Makina bie në kanal, plagoset çifti Agolli
KORÇË- Dy të plagosur në gjendje të rëndë, është bilanci i një aksidenti tragjik në segmentin Korçë-Lozhan, ndërsa ka përfunduar në prangat e policisë drejtuesi i mjetit. Një çift bashkëshortësh kanë përfunduar në gjendje të rëndë në spitalin rajonal të Korçës teksa makina e tyre ka përfunduar në kanal. Duke iu referuar burimeve zyrtare të policisë lokale, mësohet se ngjarja ka ndodhur në orën 06.00 të mëngjesit të djeshëm në vendin e quajtur “Ura e Gocës”. Çifti i bashkëshortëve Samit dhe Anife Agolli ishin duke udhëtuar në drejtim të Korçës pasi iu kishte ndodhur një fatkeqësi familjare, por kjo gjë për pak u ka marrë edhe atyre vetë jetën. Në një moment makina ka dalë nga rruga dhe dy bashkëshortët kanë rënë pa ndjenja. Falë ndërhyrjes në kohë të policisë është bërë e mundur nxjerrja e të plagosurve dhe transportimi i tyre i menjëhershëm në spital. Sipas bluzave të bardha, gjendja shëndetësore e dy 50- vjeçarëve është e rëndë, porse jashtë rrezikut për jetën, pasi janë në një mjekim intensiv në repartin e reanimacionit pranë këtij spitali.