E Diel, 1 Nëntor 2026

Plagosën me thikë 22-vjeçarin, hetohen të lirë

 

TIRANE - Dy ditë pas plagosjes me thikë të 22-vjeçarit, Shpresim Hasa, në një internet-kafe pranë “Freskut”, policia e kryeqytetit ka ndaluar autorët. Sipas burimeve zyrtare, të dyshuarit janë vëllezërit Kristofor dhe Eduart Qerimi, përkatësisht 17 dhe 30 vjeç. Oficerët e Seksionit të Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit, si dhe prokurori i çështjes, kanë vendosur hetimin e tyre në gjendje të lirë. Ky vendim është marrë, pasi plagosja e 22-vjeçarit, është klasifikuar e lehtë dhe nga pakujdesia. Ngjarja për të cilën akuzohen vëllezërit Qerimi, ndodhi tre ditë më parë rreth orës 12:00 në një internet-kafe, pranë zonës së njohur si “Fresku” në Tiranë. Shpresim Hasa është sulmuar nga dy vëllezërit, banues në fshatin Linzë, të cilët më pas e kanë qëlluar viktimën dy herë me biçak. Hasa është dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak dhe pas ndihmës së parë mjekësore, ai është rikthyer në shtëpi, pasi plagët kanë qenë të lehta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›