Vrasja e emigrantit për hakmarrje, në gjyq dosja e “Xubit” të Yzberishtit
TIRANE – Prokuroria e kryeqytetit dërgoi në gjyq dosjen penale ndaj Fatmir Avdillarit, me akuzën e vrasjes për hakmarrje ndaj fierakut Ardian Tahiri, emigrant i kthyer nga Greqia në kohën kur ra pre e atentatit. Ngjarja ndodhi më 12 prill 2009, në afërsi të qytetit të Nxënësve në Tiranë, kur 26-vjeçari Ardian Tahiri nga Fieri u qëllua me pistoletë ndërsa po dilte nga një lokal i zonës në orët e mbrëmjes. Ekzekutori qëlloi viktimën dy herë me pistoletë, duke i shkaktuan vdekjen e menjëhershme dhe më pas u largua nga vendi i ngjarjes. Për më tepër se një javë, policia e kryeqytetit zhvilloi hetime me qëllim identifikimin e autorit ndërsa rreth dhjetë ditë pas krimit, autori i vrasjes u identifikua. Sipas policisë dhe prokurorisë, vrasësi i Ardian Tahirit ka qenë Fatmir Avdillari, i njohur si “Xubi” i Yzberishtit, i cili sipas hetimeve rezulton të jetë hakmarrë lidhur me vrasjen e tij emigrant në Greqi. Nisur nga ky konflikt, mes autorit dhe viktimës, policia bëri verifikimet e saj dhe më pas shpalli në kërkim dhe arrestoi Fatmir Avdillarin në periferi të Tiranës. Ai ishte person i skeduar edhe më parë nga policia shqiptare në disa aktivitete kriminale të rënda. Bazuar në hetimet e policisë dhe Prokurorisë, vrasja e Ardian Tahirit te rruga “Irfan Tomini”, pranë Qytetit të Nxënësve ndodhi pas një historie të vjetër hakmarrje mes palëve. Historia, sipas prokurorisë, fillon në Greqi disa vite më parë kur vëllai i Fatmir Avdillarit është vrarë me armë zjarri nga persona të pa identifikuar. Megjithatë duket se autorët e ngjarjes janë zbuluar ndërsa Fatmir Avdillari akuzonte 27-vjeçarin nga Fieri, Ardian Tahiri për këtë ngjarje. Mësohet se disa ditë para vrasjes së Ardian Tahirit me dy plumba pistolete, viktima kishte debatuar me Fatmir Avdillarin, ku besohet se kishte mohuar të kishte gisht në vrasjen e emigrantit në Greqi. Pas këtij debati, dy protagonistët e ngjarjes janë përballur mes tyre disa netë më vonë ndërsa Fatmir Avdillari akuzohet se ka qëlluar dy herë me armë në drejtim të emigrantit nga Fieri, duke e lënë të vdekur në vend. Autori i krimit i cili ra në pranga disa ditë më vonë tha se e kishte hedhur armën në lumin e Lanës ndërsa kërkimet e polumbarëve të forcave speciale nuk arritën të zbulonin pistoletën e tij. Megjithatë prokuroria thotë se ka prova të tjera për akuzat e ngritura ndaj Fatmir Avdillarit. tr.so