E Hënë, 2 Nëntor 2026

Sherr për femra në një lokal në "Rrugën Dibrës"

11/06/2005  TIRANË- "Pse më sheh ti mua. ǒtë duhet ty se ç’bëj unë". Fjali të këtij tipi, të përsëritura vazhdimisht, ishin shkaku i një sherri me grushta, karrige e tavolina, dy ditë më parë në një nga lokalet e Tiranës. Grindja degjeneroi në të shara e më pas gjak e sirena policie. Ngjarje të këtij lloji, edhe pse të ndodhura shpesh në kryeqytetin shqiptar, kanë shqetësuar prej vitesh efektivët e policisë. Burime të Komisariatit numër 3 thanë se, rreth orës 23.00 të ditës së enjte, në lokalin "Alfa" në "Rrugës së Dibrës", gjatë një sherri të madh, Halil Demiraj, 28 vjeç, ka tentuar të vrasë me sende të forta shtetasin Leonard Strati, duke i sjellë atij dëmtime të rënda në disa pjesë të trupit. Vështrime të shkëmbyera mes personave që ndodheshin në dy tavolina të ndryshme, në njërën prej të cilave, sipas policies, kishte edhe femra, kanë qenë shkaqet e nisjes së këtij sherri të madh. Pas mbërritjes në vendngjarje të grupit të gatshëm të Komisariatit numër 1, është mundësuar arrestimi i Demirajt. Në grindje, sipas policisë, kanë marrë pjesë edhe 3 persona të tjerë, të cilët tashmë janë duke u proceduar e do të ndiqen në gjendje të lirë për prishje të rendit dhe shkatërrim të pronës së tjetrit, mes të cilëve ndodhet edhe një person publik, me inicialet I.D., ndërsa dy të tjerët janë L.S. dhe F.M. Burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Tiranës, thanë se këto vepra penale që janë konsumuar në këtë lokal parashikohen nga neni 150 dhe 25 i Kodit Penal. Sakaq i arrestuari Demiraj është dërguar në ambientet e brendshme të këtij komisariati, ndërsa i plagosuri Strati u transportua në spital nga dëshmitarët. Burime spitalore thanë se, tashmë ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën e po kurohet me medikamentet e nevojshme.

M.Mullai

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›