E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagosen tre të rinj pas zënkave banale

SHKODËR/ Dy ngjarje me të plagosur kanë ndodhur gjatë së shtunës teksa një person është në kërkim

SHKODËR - Një grindje mes adoleshentësh në një prej lokaleve të qytetit të Shkodrës ka përfunduar me plagosjen me thikë të njërit prej tyre, ndërsa një tjetër sherr në orët e pasdites ka dërguar në spital një 20-vjeçar dhe një 15-vjeçar. Në të dyja ngjarjet personat e plagosur janë mjekuar dhe janë jashtë rrezikut për jetën, ndërsa po hetohet për të zbardhur ngjarjet plotësisht.

Gabriel Guri, 18 vjeç, banues në lagjen "Tom Kola" të qytetit të Shkodrës ka marrë një plagë të rëndë në pjesën e barkut dhe ndodhet në spitalin rajonal të Shkodrës. Ka qenë ora 13:05 e së shtunës kur adoleshenti ka shkuar tek një lokal në katin e dytë të një objekti afër Universitetit të Shkodrës, lokal ku ndodheshin një grup të rinjsh që po bënin një festë në mënyrë të organizuar. Mësohet se të rinjtë nuk kanë pasur ndonjë motiv për të festuar por thjesht kanë rezervuar lokalin për të bërë mbrëmje festive, nisur dhe nga fakti që ditën e shtunë shkollat nuk kanë mësim.

I dëmtuari Gabriel Guri ka dashur të hyjë në lokal kur disa të rinj që ndodheshin brenda i kanë thënë se nuk mund të hynte pasi lokali ishte rezervuar prej tyre. Sipas policisë, 18-vjeçari i ka kundërshtuar dhe ka dashur të qëndrojë patjetër në mjediset e lokalit dhe tek dera e tij ka filluar dhe përleshja mes Gabriel Gurit dhe disa të rinjve. Sipas të dhënave që ka grumbulluar policia, përleshja ka qenë me grushte dhe në atë moment njëri prej të rinjve që ndodheshin brenda në lokal, e ka goditur Gurin me thikë në pjesën e barkut. Pas kësaj, festa është prishur dhe të rinjtë janë shpërndarë ndërsa 18-vjeçari Guri është dërguar me shpejtësi në spitalin rajonal të Shkodrës ku i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale .Sipas burimeve nga spitali, ai ka marrë plagë të rëndë në pjesën e barkut. Policia ka shoqëruar disa prej të rinjve që ndodheshin në lokal si dhe administratorët e tij që janë pyetur për ngjarjen, ndërkohë që si autor i ngjarjes është identifikuar 19-vjeçari Besard.

Vetëm disa orë më pas, dy të rinj kanë mbërritur të plagosur në spitalin e Shkodrës. Bëhet fjalë për Arald Vajushin dhe Brikeno Binoshin. Sipas bluzave të bardha 20-vjeçari ka marrë një goditje me thikë, ndërsa adoleshenti 15-vjeçar është qëlluar me një shkop bejsbolli. Të dy djemtë janë jashtë rrezikut për jetën. Mësohet se të rinjtë kanë goditur njëri-tjetrin gjatë një përleshjeje fizike për motive banale.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›