Plagoset 24- vjeçari pas konfliktit në lokal
SHKODËR- Një 24- vjeçar nga Shkodra mbeti i plagosur rëndë me armë zjarri natën, duke u gdhirë dita e djeshme, ndërkohë që policia është vënë në kërkim të autorëve të kësaj ngjarjeje. Burime zyrtare nga policia lokale thanë se ngjarja me pasojë plagosjen e 24- vjeçarit Elvis Peraj, banues në komunën Rrethina, ndodhi në aksin rrugor Shkodër-Koplik, pranë vendit të quajtur Shtoj i Ri. Nga hetimet e policisë rezulton se i riu ka rënë në një pritë të organizuar nga disa persona, të cilët kanë hapur zjarr ndaj tij. Të njëjtat burime thanë se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti që i plagosuri ka pasur me një grup tjetër kohë më parë, në një nga lokalet e qytetit të Shkodrës. Forca të shumta të policisë janë vënë në kërkim të autorëve, tashmë të identifikuar.
Kërkohej për tentativë vrasjeje, arrestohet
SHKODËR- Policia e Malësisë së Madhe arrestoi ditën e djeshme një 30 vjeçar, i cili kërkohej për tentativë vrasjeje. Burime të policisë lokale thanë se 30- vjeçari Çesk Naçaj, banues në komunën Kelmend u arrestua gjatë tentativës për të kaluar kufirin malazez. Të njëjtat burime thanë se tre ditë më parë Naçaj ka qëlluar me armë automjetin që drejtohej nga 38 vjeçari Luigj Bunjaj, banues në Kelmend. Ky i fundit, shtuan burimet, qarkullonte nga fshati Nikç në drejtim të Tamarës kur ndodhi ngjarja. Në hetimet e para të policisë rezulton se ngjarja ka ndodhur pas një grindjeje mes palëve për motive të dobëta.