Pranga 2 policëve të portit, kaluan klandestinë për 3 mijë
Durrës, Gjin Lleshi e Zenel Hakorja gjatë dëshmisë së klandestinit të kthyer nga Italia. Në kërkim sekseri
DURRËS- Dy policë të komisariatit të portit të Durrësit janë arrestuar dje nga kolegët e tyre me akuzën e dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit. Efektivat e policisë Gjin Lleshi dhe Zenel Hakorja janë tradhtuar nga vetë klandestini që kishin ndihmuar të kalonte kufirin drejt Italisë vetëm pak ditë më parë. Ata i kishin marrë atij tre mijë euro për këtë "shërbim" dhe tashmë duhet të përballen me drejtësinë. Pas rikthimit nga Italia, shtetasi A. H. nga Kavaja është dorëzuar dhe ka treguar të gjithë historinë e "arratisjes" me ndihmën e policisë.
Pak ditë më parë, policia e Portit të Barit në Itali ka pikasur një emigrant klandestin në morinë e madhe të njerëzve që hynin nga Shqipëria. Ai ka paraqitur dokumente të dyshimta, të cilat janë verifikuar me hollësi dhe kanë rezultuar të falsifikuara. Falsifikimi i tyre nuk ishte ndonjë "vepër arti" por një korrigjim i thjeshtë, i cili duhet të ishte pikasur nga policia portuale në Shqipëri. Marrja në pyetje e shtetasit A. H. nga Kavaja ka treguar se ditën e enjte ai është ndihmuar nga policia e Durrësit për të kaluar më pas në drejtim të Italisë. Pas kësaj policia italiane ka vendosur rikthimin e tij për në Shqipëri por ndërkohë ka sinjalizuar policinë shqiptare që të ndiqte këtë rast me shumë vëmendje. Dhe sapo klandestini i kthyer nga Italia ka shkelur tokën shqiptare ai është marrë në pyetje nga hetuesit e policisë së Durrësit. Fillimisht i rikthyeri nga Italia nuk ka dhënë shumë detaje por më pas është rrëfyer duke treguar se gjithçka e ka kryer me ndihmën e policëve të portit. Sipas dëshmisë së dhënë në polici, ai kishte siguruar një palë dokumente false dhe më pas kishte gjetur "një mik" në portin e Durrësit. Klandestini ka treguar se dy efektivët Gjin Lleshi, 40 vjeç, me detyrë punonjës policie në sektorin e kufirit dhe Zenel Hakorja, 41 vjeç, punonjës policie në sheshin e trageteve e kishin ndihmuar atë që të kalonte kufirin shumë lehtësisht. Ai ka treguar se një person tjetër e kishte ndihmuar që të lidhej me dy policët e portit dhe se për këtë "shërbim" kishte paguar tre mijë euro.
Menjëherë pas kësaj zyra e antitrafiqeve në policinë e Durrësit, në bashkëpunim me drejtorinë e kufirit, kanë thirrur dhe arrestuar dy efektivët Gjin Lleshi, 40 vjeç, me detyrë punonjës policie në sektorin e kufirit dhe Zenel Hakorja, 41 vjeç, punonjës policie në sheshin e trageteve. Ndaj tyre është ngritur akuza e dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit dhe abuzim me detyrën. Nga ana tjetër, policia ka shpallur në kërkim një shtetas emri i të cilit për arsye hetimi nuk bëhet i ditur për arsye hetimore. Mendohet se ky shtetas ka qenë sekseri, i cili i mori klandestinit tre mijë euro për të kaluar në shtetin italian. Hetimet intensive në lidhje me këtë çështje pritet që të zbardhin dhe emrat e shtetasve të tjerë të përfshirë në trafikun klandestin.