E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, granata që plagosi tre persona i ra gruas nga dora

Edlira Cini po lëvizte granatën e të shoqit por pa dashje e aktivizoi atë. Pranga Julian Cinit për armëmbajtje pa leje
FIER- Autori i hedhjes së granatës në qytetin e Fierit ku mbetën të plagosur një grua 26-vjeçare dhe vajza e saj pesë vjeç është vetë gruaja. Edlira Cini ka tentuar që të lëvizë një nga granatat që mbante i shoqi i saj në shtëpi por gabimisht ka bërë që ajo të aktivizohet. Me gjithë ndërhyrjen e menjëhershme të bashkëshortit të saj, granata është larguar por jo aq sa të mos shkaktojë asnjë dëm. Pas kontrollit të ushtruar në shtëpinë e çiftit Cini është gjetur edhe një granatë tjetër si dhe një karikator automatiku dhe një numër fishekësh. Pas zbulimit të armëve dhe municioneve luftarake policia i ka hedhur prangat 35-vjeçarit Julian Cini me akuzën e armëmbajtjes pa leje.
Ngjarja
Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur në orët e vona të së shtunës banorët e lagjes "16 prilli" të qytetit të Fierit. Ngjarja ka ndodhur në orën 23.00 në familjen e Julian Cinit, banues në këtë lagje të këtij qyteti. Dëshmitarë okularë pohuan se rreth kësaj ore, Juljan Cini së bashku me të shoqen Edlirën dhe vajzën 5 vjeçe, pasi kanë mbyllur dyqanin janë nisur ne drejtim të banesës së tyre. Ata janë parë teksa hipin në një mjet tip kamionçinë, e cila ishte parkuar ne oborrinpa mure të kësaj familjeje. Vetëm pak sekonda më pas banorët kanë dëgjuar shpërthimin e eksplozivit që ka alarmuar të gjithë. Zhurma e fuqishme është dëgjuar edhe nga policia, e cila pasi ka saktësuar vendin ku ka ndodhur ngjarja ka shkuar menjëherë në banesën e familjes Cini. Punonjësit e policisë kanë marrë të tre anëtarët e familjes Cini dhe i kanë dërguar me urgjencë në spital pasi ata ishin plagosur. Burime nga spitali pohuan se Julian Cini 35 vjeç , Edlira Cini 26 vjeç dhe vajza 5 vjeç kanë marrë dëmtime të lehta në duar, trup dhe pjesën e kokës. Ata kanë marrë ndihmën e parë mjekësore dhe nuk kanë pasur asnjë rrezik për jetën.
Arrestimi
Pasi ka dërguar të plagosurit në spital policia lokale ka nisur hetimet në lidhje me autorët e mundshëm të hedhjes së granatës. Hetuesit kanë nisur duke marrë në pyetje banorët e zonës si dhe ata pak dëshmitarë okularë por asnjë prej tyre nuk kishte parë ndonjë person të dyshimtë që mund të kishte hedhur granatën. Fqinjët e familjes Cini nuk kanë qenë të aftë të etiketojnë ndonjë autor të mundshëm për ngjarjen. Gjatë kësaj kohe të tre anëtarët e familjes Cini kanë dalë nga kujdesi i mjekëve dhe janë marrë në pyetje nga hetuesit e policisë dhe në këtë moment është zbardhur e vërteta e ngjarjes. Burimet zyrtare të policisë pohuan se Edlira Cini ka treguar në dëshminë e saj se granata nuk ishte hedhur nga askush por kishte qenë ajo që e kishte aktivizuar aksidentalisht. Sipas policisë që shkoi në vendngjarje, shpërthimi u shënua në momentin kur e zonja e shtëpisë, Edlira Cini, tentoi të zhvendosë në një vend tjetër mjetin luftarak. "Asaj i ka rënë granata nga dora duke i mbetur në gisht unaza e sigurisë së saj. Në momentin që granata është aktivizuar ata kanë tentuar që ta largojnë dhe në një farë mënyrë ia kanë arritur qëllimit. Si pasojë e shpërthimit u plagos Edlira Cini, bashkëshorti i saj, Juliani dhe fëmija i tyre i mitur",- thanë dje burimet e policisë lokale. Sipas tyre, menjëherë është ushtruar një kontroll i imtësishëm në banesë ku është gjetur një tjetër granatë ofensive, një ndezës granate, një karrikator automatikume 32 copë fishekë si dhe një sasi e vogël lëndë narkotike kanabis sativa. Të gjitha këto janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale ndërsa kryefamiljarit Julian Cini i janë vënë prangat me akuzën e armëmbajtjes pa leje të armëve e municioneve luftarake si dhe të lëndëve narkotike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›