Vlorë, hidhet nga kati i tretë, humb jetën e moshuara
Ismihane Dafa, 80-vjeç, kishte shfaqur shenja të sklerozës. Vdes në spital disa orë pas mbërritjes
VLORË- Një 80- vjeçare i ka dhënë fund jetës ditën e djeshme duke u vetëhedhur nga kati i tretë i apartamentit ku banonte në qytetin e Vlorës. Ngjarja ka ndodhur drekën e djeshme në një nga ndërtesat e lagjes "Dëshmorët", në afërsi të shkollës së mesme të përgjithshme "Ali Demi". Siç mësohet nga burimet zyrtare të policisë, e moshuara jetonte së bashku me djalin dhe familjen e këtij të fundit prej vitesh. Mëngjesin e djeshëm 80- vjeçarja Ismihane Dafa ishte përfshirë si zakonisht në rutinën e ditës së zakonshme. Por pa ngjallur asnjë dyshim, rreth orëve të drekës ajo ka dalë në dritaren e dhomës ku rrinte zakonisht. Gruaja e moshuar nuk ka folur asnjë fjalë por është hedhur nga dritarja e katit të tretë duke përfunduar në asfalt. Dëshmitarë okularë pohuan se gruaja 80-vjeçare kishte pësuar dëmtime të shumta në trup dhe kishte hemorragji shumë të madhe. Pas kësaj ajo është marrë dhe është përcjellë me urgjencë në spitalin rajonal të qytetit të Vlorës. Përplasja në tokë ka sjellë pasoja të pariparueshme për 80- vjeçaren Ismihane Dafa, e cila i është nënshtruar terapisë nga ana e bluzave të bardha, por disa orë më vonë ka ndërruar jetë në ambientet e spitalit të Vlorës. Policia ka marrë deponime të familjarëve, të cilët kanë pohuar se nuk kanë pasur probleme, por së fundmi e moshuara kishte shfaqur shenja të sklerozës, çka është dhënë dhe si version për vetëvrasjen e së moshuarës.