E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sarandë, vdes në pyll i sëmuri mendor

SARANDË- Një druvar nga Navarrica ishte duke shkuar në mal për dru, kur papritur është përballur me një kufomë e seksit mashkull që në pamje të parë tregonte se mund të kishte jo më shumë se tre ose katër ditë i vdekur. Përballja me kufomën, mëngjesin e djeshëm, ka qenë pamja me makabre për druvarin nga fshati Navarricë, rreth 30 km larg qytetit të Sarandës. Druvari nuk ka mundur që të identifikojë kufomën e gjetur dhe menjëherë ka njoftuar në fshatin e tij të Navarricës dhe pas kësaj është njoftuar salla operative e policisë në Sarandë. Pas njoftimit ka shkuar në vend grupi i policisë kriminale e Komisariatit të Policisë së Sarandës dhe pas hetimeve ka konkluduar se kufoma e gjetur i përkiste shtetasit Kostaq Melo, 41 vjeç, banor i fshatit Dhivër, rreth 10 km larg vendit ku është gjetur kufoma e tij. Sipas ekspertizës mjeko ligjore mësohet se 41- vjeçari kishte rreth tre ditë që kishte vdekur dhe se vdekja e tij kishte qenë e natyrale. Gjithashtu bëhet e ditur se 41- vjeçari Kostaq Melo kishte kohë që vuante nga çrregullime nervore dhe për këtë mjekohej shpesh në spitalin psikiatrik në Vlorë. Ai kishte rreth dy muaj që ishte kthyer nga spitali në shtëpinë e tij dhe sipas të afërmeve, mësohet se 41- vjeçari kishte rreth pesë ditë që ishte larguar nga shtëpia pa dijeninë e tyre dhe ata e kërkonin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›