E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagoset 36-vjeçari në zonën e ish-bllokut

Një orë nga ngjarja e parë, një tjetër konflikt ka ndodhur në zonën e ish-bllokut në Tiranë, në afërsi të "Sky Tower". Policia është njoftuar se një person është plagosur rreth orës 02:00. Në vendngjarje shkoi grupi i posaçëm hetimor, i formuar për të hetuar, dhe sqaruar rrethanat e kësaj ngjarjeje. "U konkludua se, ngjarja ka ndodhur në ambientet e jashtme të ‘Skay Tower‘, ku autori i dyshuar i ngjarjes H.E, 30 vjeç, pas një konflikti për motive të dobëta, ka qëlluar dy herë në pjesën e trupit me armë zjarri, 36-vjeçarin Asim Hasan Ahmeti", thanë burimet nga Policia e Tiranës. Sipas tyre, i plagosuri u dërgua menjëherë në Spitalin Ushtarak Tiranë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. "Në vendin e ngjarjes u kryen të gjitha veprimet hetimore dhe procedurale, ndërkohë që po punohet intensivisht nga të gjitha strukturat e hetimit të krimit për kapjen e autorit të dyshuar të plagosjes, i cili tashmë është identifikuar" thanë burimet. Sipas tyre, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy gëzhoja, kalibër 7.62.mm., ndërkohë autori akuzohet për veprën penale të "vrasjes së mbetur në tentativë".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›