Shamku: Po lëshohen kartonë fotokopje, jo diploma të rregullta
Diplomat e lëshuara nga Ministria e Arsimit për studentët e sistemit të Bolonjës, për departamentin e gazetarisë, janë kritikuar edhe nga Partia Socialiste. Dje, në një deklaratë, Ledi Shamku, kryetarja e Komisionit të Edukimit në Asamblenë e Partisë Socialiste, ka nënvizuar se Ministria e Arsimit ka dhënë disa dëftesa të fotokopjuara, të cilat nuk pinë ujë. Sipas saj, me to të gjithë studentët që iu nënshtruan "eksperimentit" të Bolonjës, do ta kenë shumë të vështirë të "çajnë" në tregun e punës. Të tillë kartonë të pavlerë, sipas Partisë Socialiste, duhet të ngjallin diskutim për përmirësimin e avenirit të studentëve shqiptarë, problemet e të cilëve nuk janë fare në axhendën e qeverisë së sotme. "Para disa muajsh, Ministria e Arsimit u tall me nxënësit e me familjet tona, duke u lënë në dorë ‘dëftesa‘ të fotokopjuara. Sot ajo thelloi talljen e saj, kësaj radhe me studentët, duke iu rrasur me pahir ‘diploma‘ të fotokopjuara, që nuk kanë as firma titullarësh, as emra fakultetesh, as tituj diplome, e as profil, pra asgjë", tha Shamku. Sipas saj, as bakalli më i humbur në tregun e punës nuk do t‘i pranonte ato. "Studentët kanë ditë që protestojnë, por po ndeshen me një shpërfillje irrituese të MASH-it, e për rrjedhojë të një shteti rrumpallë, që arsimin s‘e ka më në axhendë, e që i mbështjellë tashmë nga një injorancë e plotë, flet madje në emër të Kartës së Bolonjës. Copat revoltuese të letrës që kjo ministri ka lëshuar, janë maja e ajsbergut e një papërgjegjshmërie të paparë, për të cilën prej 6 muajsh kemi kërkuar të merren masa urgjente", vijoi kryetarja e Komisionit të Edukimit. Ajo thotë se diplomat nuk i firmosin, pasi nuk ka akte ligjore që rregullarizojnë statusin që do të kenë të diplomuarit të cilët nuk vijojnë studimin e thelluar 2-vjeçar. "Arsimi është problem gjithnjë e me serioz dhe ne jemi të vetëdijshëm për këtë, pasi kemi punuar dhe po punojmë, ndaj jemi të gatshëm t‘u ofrojmë shqiptarëve atë që presin prej 18 vjetësh nga shteti i tyre", përfundoi Shamku.