E Hënë, 2 Nëntor 2026

Plagoset adoleshenti me thikë i ngacmonte motrën autorit

18/05/2005  FIER - Një zënkë banale ka ndodhur mes dy të rinjve, njëri

17 vjeç dhe tjetri 19 vjeç.

Ka qenë ora 16.00 e ditës së djeshme, kur në lagjen “11 Janari” të qytetit të Fierit, është plagosur me thikë në kofshën e djathtë shtetasi Besmir Gurguri, 17 vjeç, banues në lagjen “Afrimi i Ri”, nxënës në gjimnazin “Janaq Kilica” të Fierit, vitit i III.

Në kohën e plagosjes, Besmir Gurguri ishte duke ecur i vetëm

për të shkuar te një shoku i tij i shkollës. Para tij, sipas dëshmitarëve, mësohet se ka qëndruar një makinë tip “Benz”, pa targa, dhe drejtuesi i tij, Osman Hoxha, 19 vjeç, pasi ka ndaluar ka debatuar me 17-vjeçarin. Dy të rinjtë kanë debatuar dhe më pas 19-vjeçari ka nxjerrë një thikë, dhe ka plagosur në kofshën e djathtë gjimnazistin.

Nga ana e policisë, që shkoi menjëherë në vendngjarje, janë kryer të gjithë veprimet e para hetimore dhe u konstatua se autori i kësaj vepre penale ishte shtetasi Osman Hoxha, 19 vjeç, banues

në fshatin Grizë të komunës Qendër të Fierit. Motivi i kësaj ngjarjeje ka qenë një zënkë e çastit.

Autori menjëherë pas veprës penale është larguar nga vendngjarja dhe, sipas policisë, po punohet për kapjen e tij.

Për sa u përket motiveve, sipas burimeve jozyrtare të policisë, mësohet se i dëmtuari i kishte ngacmuar motrën autorit dhe ky i fundit është rebeluar nga ky fakt dhe pasi e ka fyer 17-vjeçarin e ka qëlluar atë më thikë, duke u larguar më pas me shpejtësi nga

vendngjarja.

Sipas policisë po punohet për kapjen e autorit.

Precedenti/ 23 prill 2005

Për një femër, nxënësi i klasës së gjashtë, plagos me thikë nxënësin e klasës së shtatë

PATOS - Një nxënës i klasës së VII B, Fasteriol Ymeti, është goditur me thikë nga Lediaon B., nxënës i klasës së VI të shkollës 9-vjeçare “Hekuran Maneku”, për arsye banale.

Shkaku i plagosjes, sipas të dëmtuarit, ka qenë sepse autori së bashku me disa djem të tjerë, nxënës të kësaj shkolle, i kanë ngacmuar motrën e shokut të tij dhe se kjo gjë nuk i ka pëlqyer fëmijës. Ai është hedhur për të mbrojtur “nderin” e vogëlushes, por ata e kanë grushtuar dhe më pas njëri prej tyre e ka goditur me thikë në organet jetësore.

Menjëherë pas aktit, ndërsa agresori dhe grupi i tij janë larguar me shpejtësi, i dëmtuari është çuar në spitalin civil të Fierit, ku i është nënshtruar një operacioni kirurgjikal, ku kaloi rrezikun.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›