E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vendi bosh i pushtetit

18/05/2005  Pas tre votimesh për interesa kryesisht globale (1992 – kundër komunizmit; 1997 – ndëshkimi i atyre që lejuan piramidat financiare; 2001 – rigjetja e ekuilibrit kombëtar pas krizës së Kosovës), viti 2005 do të njohë një votim për interesa personale apo grupesh interesi. Kush nuk mban parasysh këtë faktor gabohet në mënyrë të pafalshme.

Pasi është konsideruar për vite me radhë si partner i rëndësishëm në lojën demokratike, kundërshtari politik po shpallet papritur si demon dhe rrezik real për demokracinë ! Kujt t’i besojmë: gjuhës institucionale apo gjuhës elektorale?

Paradoksi: Institucionalisht pranohet se pushteti është një «vend bosh», për të cilin rivalizohet një herë në katër vjetë. Ndërkaq, propaganda elektorale po e quan të mbyllur ardhjen në pushtet të kundërshtarit politik, duke e konsideruar atë si «vend plot (të zënë) ».

Janë konsoliduar subjekte individuale dhe kolektive, sipërmarrës, media, organizata shoqërore, intelektualë, qendra studimore me status social të stabilizuar, bartës projektesh të fuqishëm, autonomë ndaj pushtetit politik, («sokratë të kënaqur »), për të cilët ndërrimi i pushteteve apo vazhdimësia e tyre, nuk është më aspak një dramë, apo me rëndësi jetike për interesat e tyre. Kjo është shenjë e pjekurisë së shoqërisë shqiptare dhe garanci për një pushtet demokratik si vend bosh.

Në çdo shoqëri, që kërkon të drejtohet nga vlera demokratike, është krejt e domosdoshme që funksionimi i institucioneve dhe gjuha politike e përdorur nga vepruesit politikë të jenë disi në përputhje me njëri-tjetrin. Përndryshe do të kishim një lloj çarjeje fare të padëshirueshme midis veprimit institucional dhe të folurit të individëve, udhëheqësve apo deklarimeve zyrtare të partive të ndryshme politike. Politikanët ndryshe do të ishin të detyruar të vepronin në kuadrin institucional dhe ndryshe do të duhej të flisnin.

Në shoqëritë e pjekura politikisht dhe të demokratizuara në një masë të madhe, zakonisht kjo ndodh shumë rrallë dhe karakterizon vetëm të folurit e partive të vogla ekstremiste, ndërsa te ne ky fakt nuk është edhe aq i rrallë. Siç duket përmbajtja morale dhe politike e institucioneve nuk është tretur sa dhe si duhet kulturalisht nganjë pjesë e brezit të sotëm të politikanëve, nuk është bërë si një shpirt i dytë për aktorë të ndryshëm politikë.

Mjafton të kërkosh sadopak në gjuhën dhe të folurin e disa politikanëve, dhe mund të qëmtosh pa fund raste të një gjuhe që nuk përputhet as me normat institucionale të demokracisë, as me kodin etik të sjelljes politike që, pasi u firmos, duket se po shndërrohet pjesërisht në një copë letër pa vlerë nga ana e disa politikanëve.

Po i mëshoj këtij problemi shoqëror sepse ai është bërë fort aktual, madje edhe akut, në ditët tona kur vendi po përgatitet të hyjë në një fushatë politike të ndezur për zgjedhjet parlamentare të verës së vitit 2005.

Pushteti demokratik si vend bosh

Politologu i njohur Klod Lefort kur flet per demokracinë ka përdorur një term shumë të rëndësishëm që në fakt në forma dhe trajta të ndryshme është rimarrë gjerësisht nga studjues të shkencave politike bashkëkohore dhe që shënon diçka thelbësore për sistemet politike demokratike.

Ai ka shkruar se në demokraci pushteti i ngjan një vendi bosh, të zbrazët.

Le të sqarojmë shkurtimisht se çfarë dëshiron të thotë ai me këtë.

Pushteti demokratik si një vend bosh nënkupton se institucionet politike demokratike, loja e aktorëve politikë, sjellja e partive të ndryshme politike, reagimi i elektoratit duhet t’i përmbahet parimit themelor se asnjë parti politike, asnjë udhëheqës, asnjë qeveri, asnjë ministër, asnjë shef qeverie nuk e kanë zënë vendin që mbajnë një herë e përgjithmonë.

Përkundrazi, vendin e tyre në politikë, ata nuk e kanë të përhershëm.

Statusin e tyre nuk e kanë të trashëguar.

Nuk janë në pushtet për jetë, as nuk mund ta pretendojnë medoemos marrjen e pushtetit.

Me një fjalë, sipas Lefort-it, pushteti politik as nuk merret me pahir, por as nuk mbahet me çdo kusht, për jetë.

Pushtetin s’e ka askush me tapi.

Çfarë kuptimi do të kishin votimet pastaj?!

Pushteti, prej Lefort-it kuptohet si një vend shumë i rëndësishëm për drejtimin politik të një shoqërie, si pika ku kryqëzohen interesa të larta ekonomike, politike, shoqërore, kombëtare, rajonale, ndërkombëtare etj. Ai është gjithmonë një vend ku «ulet» një forcë politike, por vetëm për pak kohë, pa e privatizuar, pa e akaparuar, pa e zotëruar si pronë private, pa e marrë me qira për 99 vjet, pa e hedhur në hipotekë aq më pak me proçedura mashtruese, pa e pretenduar për ta mbajtur pa fund në dorën e saj, pa e përdorur pa limit kohe, pa e quajtur si një vend të privilegjuar për atë vetë apo për aleatët e saj.

Këtu fillon edhe paradoksi, sepse ky vend i lartë, me rëndësi të jashtëzakonshme, në një farë kuptimi, është pra një pozicion që nuk mund të akaparohet përfundimisht, është një vend në fakt plotë, i zënë nga dikush, por në parim bosh, sepse ai s’i takon askujt përgjithmonë, as ekskluzivisht dhe as tërësisht.

Po të përdoreshin dy apo tri krahasime të thjeshta, vendi i lartë i pushtetit do t’i ngjante një podiumi ku hypën gjithmonë një fitues, por që zbret që andej sapo një fitues tjetër – atlet, shpallet kampion dhe i dorëzohet medalja. Ai është bosh në kuptimin e një kabine plazhi gjatë stinës së verës, ku gjithmonë ka qiraxhinj, por secili prej tyre është banor i saj vetëm për një periudhë, sepse pas një kohe të caktuar të tjerë do të vijnë të banojnë aty.

Qiraxhinj gjithmonë.

Asnjëherë pronarë.

Ky është kuptimi i një vendi bosh në sytë e Klod Lefort-it kur ai flet për pushtetin politik në një vend demokratik.

Në fakt, institucionet demokratike, edhe ato që ekzistojnë në vendin tonë, megjithë brishtësinë dhe dobësitë e tyre jo të vogla, janë ndërtuar po sipas këtij koncepti të një vendi plotë - bosh, domethënë të një vendi të zënë përherë nga dikush, por jo përgjithmonë.

Një herë në katër vjetë është populli, i përfaqësuar nga elektorati, që vendos se kush do ta lërë karrigen e pushtetit dhe kush do ta marrë atë. Ka një afat kur edhe legjislatura e Kuvendit është e detyruar t’iu japë fund punimeve të saj dhe deputetët detyrohen të shkojnë në shtëpitë e tyre, pranë grave dhe fëmijëve, për të pritur verdiktin e ardhshëm të zgjedhësve.

Vetë qeveria dhe kryetari i saj, pa folur për ministrat, e dinë mirë se ka një çast kohor kur vendi i pushtetit është më shumë një vend plotë-bosh sesa bosh-plotë, domethënë se vjen një çast paraelektoral kur ata ende janë në krye të detyrës, por shumë shpejt e dinë se do t’i lënë postet që kanë, përkohësisht (derisa të rivotohen) apo përgjithmonë.

Qeveria do t’i ribëhet pavarësisht nëse ajo do të ketë përsëri ngjyrat e partisë që është tashmë prej tetë vjetësh në pushtet, do të formohet prej opozitës, apo prej ndonjë partie të re që e quan tashmë partinë nga e cila është ndarë me emrin «partia e vjetër».

Sidoqoftë sa më tepër afrohen zgjedhjet aq më shumë vendi i pushtetit i ngjan një vendi plotë-bosh, sesa një vend bosh-plotë.

Është si një karrige nga ku dikush është duke u ngritur dhe ku zgjedhësit do të ulin atje dikë tjetër apo do të riulin po të njëjtin subjekt politik.

Pushteti si «vend plot (i zënë)» në të folurin dhe sjelljen politike

Lexuesi me të drejtë, mund të thotë se këto që u thanë më lart dihen dhe ndofta nuk kanë nevojë të përsëriten. Edhe unë kështu mendoj, por në praktikë vihet re një dukuri që e përmendëm qysh në fillim të këtij shkrimi dhe që ka filluar të përbëjë një risi disi shqetësuese në ditët tona.

Ka politikanë që, ndonëse veprojnë në një terren institucional demokratik, edhe pse e kanë shumë të qartë se në demokraci rregullat e lojës bëjnë që pushteti mund të mbahet edhe për një mandat tjetër, ose edhe mund të kalojë në duart e opozitës - të dyja mundësitë janë pra krejt të hapura - në të folurin e tyre shprehen sikur kalimi i pushtetit nga një forcë politike te një tjetër, ose vazhdimi i mbajtjes së pushtetit nga e njëjta forcë politike, të ishte një dramë mbarëkombëtare, për të gjithë popullin, diçka që do të binte në kundërshtim me vetë vlerat e demokracisë.

Shprehje të tilla janë formuluar nga kandidatë të ndryshëm për deputetë, çka edhe mund të kuptohet në zjarrin e debateve, por formën më të plotë ky lloj i foluri politik e ka marrë kur u propagandua se ardhja e mundshme e opozitës në pushtet do të rrezikonte të risillte pa një pa dy vitin 1997.

Le të përpiqemi të shpjegojmë se përse kjo formulë si slogan nuk është fare e gjetur as nga ana etike, as nga ana politike dhe as nga ana e efikasitetit propagandistik?

Nëse do të vijë ose jo opozita së shpejti në pushtet, apo do të vazhdojë pushteti i socialistëve – kjo është punë e elektoratit, e zgjedhësve që askush nuk e parashikon dot kollaj sesi do ta hedhin votën në kutinë e votimit ditën e caktuar. Përgjatë fushatës elektorale, gjuhët do të zgjidhen dhe debati do të ndizet, por asnjëherë gjërat nuk duhet të merren gjithmonë seriozisht dhe të vërteta. Jo ç’do gjë që shkëlqen është ar.

Viti 1997 në kujtesën politike kolektive na risjell në mendje shkatërrimin e institucioneve politike, përplasjet midis një pjese të popullit dhe shtetit, si edhe konfliktet ndërindividuale në rrafshin horizontal midis vetë njerëzve, apo edhe më keq: paralizimin e organeve të rendit, të drejtësisë, të administratës etj.

Nga kjo pikëpamje, teza propagandistike se opozita e sotme rrezikon të sjellë 1997-ën poqese vjen në pushtet nënkupton tërthorazi se ajo dyshohet se do të shkatërrojë institucionet demokratike të vendit apo do t’i përdorë ato në mënyrë antidemokratike.

Ndonëse nuk e besoj aspak këtë parashikim ogurzi, nga ana tjetër nuk gjykoj se opozita ka nevojë që ndokush të bëhet garant për të se ajo do të qëndrojë larg dhe e vendosur kundër këtyre tundimeve.

Problemi është fare gjetiu.

Të thuash se opozita e sotme e ardhur në pushtet rrezikon institucionet e sotme demokratike nënkupton se ajo përbën një faktor jashtinstitucional, të rrezikshëm për demokracinë, pra në këtë këndvështrim të foluri politik, ajo rezulton pothuajse se u dashka «nxjerrë jashtë ligjit» dhe jo më të konkurrojë dhe t’i jepet pushteti!

Paradoksi duket fare qartë.

Nga njëra anë, nën nivelin institucional, Partia Demokratike konsiderohet si opozita politike e vendit, pra, në parim, si konkurrente për pushtet, pranohet se ajo institucionalisht edhe mund ta marrë pushtetin, konsiderohet si një forcë demokratike, e denjë për të luajtur lojën e demokracisë. Ndërkaq, nga ana tjetër, i foluri politik i kundërshtarëve të saj ndonjëherë ikën në një drejtim tjetër, të paditur, aspak në përputhje me realitetin tonë institucional, demokratik.

Kështu ndodh për shembull, kur thuhet se riardhja e demokratëve në pushtet do të rrezikojë rikthimin e gjendjes kaotike, joinstitucionale të vitit 1997!

Njëra nga të dyja. Ose Partia Demokratike është pranuar institucionalisht si një aktor politik demokratik, pjesë përbërëse e institucioneve tona të sotme demokratike, është mirëkuptuar se ajo nuk përbën asnjë rrezik për demokracinë dhe atëherë s’ka fare vend slogani i mësipërm që na kujton vitin e mbrapshtë 1997; ose e kundërta, Partia Demokratike është një faktor politik antidemokratik, jodemokratik, siç e paraqet slogani për të cilin po flasim, dhe atëherë duhet pranuar se ajo duhet mënjanuar institucionalisht ose me çdo mjet tjetër nga rruga e pushtetit.

Në këtë kuptim, slogani me vitin 1997 brenda lë një shije të hidhur dhe nënkupton tërthorazi, nëse do t’i shkohej deri në fund kuptimit të tij semantik, mundësinë e përdorimit të çdo mjeti demokratik, apo «demokratik», që ajo të mos mund të vijë në pushtet.

Pra, nga njëra anë, institucionalisht, pranohet se pushteti është një vend plotë-bosh, i hapur për të gjithë aktorët politikë të sotëm, madje edhe për komunistët, kurse i foluri politik, në formën e një lapsusi inkoshient, apo nga përndezja e gjakrave elektorale, apo nga dëshira për të mobilizuar trupat me parulla të thjeshta triviale, të qarta dhe që mbahen mend kollaj, e paraqet pushtetin si një vend në pamje të parë bosh, por në fakt të plotë, të zënë. Partia Demokratike, megjithëse pranohet si faktor institucional që bën pjesë në një sistem politik që mund t’ia japë asaj pushtetin, në fakt, nënkuptohet se nuk duhet ta marrë këtë pushtet, në asnjë rrethanë, përderisa ajo rrezikon t’i hedhë për tokë institucionet!

Jo vetëm logjikisht, por edhe nga një farë pikëpamjeje politiko-historike amalgama midis një rikthimi të mundshëm të Partisë Demokratike në pushtet dhe risjelljes së viti të shkatërrimit institucional të 1997-ës është mjaft problematike.

Nuk do të hyjë këtu se kujt i takonte përgjegjësia për ato që ndodhën në atë vit, ndonëse nuk mendoj aspak se ajo i përket ekskluzivisht partisë Demokratike. Kjo është një analizë e gjatë që s’ka fare nevojë të bëhet këtu. Puna është se slogani në fjalë, pikërisht tani përpara zgjedhjeve, na e paraqet partinë Demokratike si një faktor politik në thelb antidemokratik, në një kohë kur për vite me radhë autorët e tij kanë bashkëpunuar me Partinë Demokratike në rrugë institucionale, në nivel kombëtar apo lokal, për përforcimin e demokracisë në Shqipëri.

Janë aprovuar bashkërisht ligje.

Janë krijuar dhe kanë funksionuar komisione hetimore të përbashkëta.

Është zgjedhur në mënyrë konsensuale Presidenti i Republikës, prokurori i Përgjithshëm, emëruar dikur shefi i Shërbimeve Sekrete etj.

Janë shkëmbyer kartolina dhe urime.

U bë bashkarisht kodi elektoral dhe u ndanë zonat zgjedhore.

Janë kompozuar delegacione parlamentare të përbashkëta.

Janë pirë kafe «mikste» në bufenë e parlamentit.

Viti 1997 ka qenë gjithsesi përpara këtyre ngjarjeve dhe formave të bashkëpunimit të qeverisë me Partinë Demokratike që sapo përmendëm. Prandaj, nuk është fort korrekte nga pikëpamja politike që kur ka qenë fjala për të siguruar veprimin dhe funksionimin e pushtetit, Partia Demokratike të konsiderohej si partner në lojën e përbashkët demokratike, kurse tani, kur është fjala për t’iu drejtuar elektoratit, popullit, për të marrë votat e tij, Partia Demokratike të paraqitet si një faktor i rrezikshëm për demokracinë.

Po të ishte e tillë, atëherë përse duhej të frekuentoheshin festat e saj?!

Në këtë rast, ne ndeshemi me një double thinking.

Një i folur institucional, brendapërbrenda elitës politike dhe një i folur tjetër politik, i kundërti, me popullin e eksituar.

Një i folur politik në kushtet e vazhdimësisë së pushtetit dhe një tjetër i folur, i kundërti, në çastin e rinovimit të institucioneve politike.

Kë të besojmë?

Edhe nga ana etike nuk jemi në një gjendje fort të kënaqshme përballë sloganit për rrezikun e rikthimit të 1997-ës bashkë me një ardhje të mundshme të demokratëve në pushtet.

Ndonjë kritik do të na thoshte se vërtet këto bashkëpunime thelbësore me Partinë Demokratike janë bërë, por dikur ama, jo tani, dhe se vetëm tani, disa shenja të fundit, kanë treguar se ajo paskësh qenë ndryshe nga sa mendohej (!)

Mirëpo, edhe ky kundërargument nuk qëndron fare. Një nga aktet më të fundit politike në Shqipërinë paraelektorale ka qenë pikërisht nënshkrimi i kodit etik midis partive politike të vendit, ku solemnisht, përballë kamerave, publikut shqiptar, një pjese të trupit diplomatik, vetë Presidentit të Republikës, u nënshkrua kontrata etike, ku, ndër të tjera, deklarohej se nuk do të lejohej agresiviteti dhe fyerja e kundërshtarëve. Po ja nuk kaluan disa ditë edhe na del se Partia Demokratike është një rrezik për demokracinë e re shqiptare dhe ata që nuk e besojnë këtë nuk janë veçse naivë (!).

Atëherë çfarë do të thotë publiku?

Tre gjëra mund të thotë.

Ose kodi etik ishte krejt i gënjeshtërt dhe një farsë mediatike.

Ose kujtesa kolektive për vitin 1997 është ngjallur vetëm këto dy javët e fundit, ndërsa në ditën e nënshkrimit të kontratës etike ishte e davaritur krejt.

Ose politika është pa karakter dhe politikanët tanë bëjnë atë që nuk thonë dhe thonë atë që nuk bëjnë.

Në këtë version të tretë, atëherë nuk kemi se përse të ankohemi që votuesit nuk i besojnë shumë politikës dhe politikanëve.

Votimi me vështrimin pas

Në këtë rast, një lloj rikthimi tek i foluri politik i periudhës 1992-1997, që i solli dëme si stabilizimit të jetës politike demokratike të vendit, ashtu edhe vetë Partisë Demokratike në atë kohë në pushtet.

Duke u nisur nga prejardhja e Partisë Socialiste, demokratët kishin përvetësuar për një periudhë jo të shkurtër si slogan të tyre elektoral parullën se socialistët, si ish-komunistë, po të vinin në pushtet do të rrezikonin të ndalonin procesin demokratik dhe do të dëmtonin institucionet demokratike të vendit. Edhe në atë kohë u krijua një paradoks i çuditshëm në formën e një konflikti midis mënyrës së funksionimit të institucioneve politike të kohës që e pranonin institucionalisht Partinë Socialiste si opozitë të ligjshme, pra e pranonin si forcë politike, që mund të merrte pushtetin, dhe mënyrës së ligjërimit politik të partisë në pushtet dhe të disa prej përfaqësuesve zyrtarë të shtetit, të cilët e shihnin Partinë Socialiste si partinë e dikurshme të punës, pra e përjashtonin realisht nga mundësia e marrjes së pushtetit, përderisa e quanin se përbënte një rrezik për vetë demokracinë.

Institucionet dhe ligjërimi politik i partisë së atëhershme në fuqi hynë një në kontradiktë të fuqishme me njëra-tjetrën dhe sollën për pasojë çarjen e institucioneve të vendit.

Masat kishin anuar nga opozita e atëhershme socialiste.

Institucionet parimisht i krijonin asaj të gjitha kushtet për ta marrë pushtetin, kurse mendësia dhe i foluri politik sundues frymëzonte një sjellje politike të partisë në pushtet që e pengonte në rrugë joinstitucionale dhe artificiale rrotacionin normal të pushtetit.

E gjithë kjo mendësi, që nuk shihte përpara, por pas, që nuk merrte në konsideratë transformimin demokratik, por të kaluarën e subjekteve politike, që i pranonte kundërshtarët si pjesë e institucioneve, por i ndalonte virtualisht dhe praktikisht për të ardhur në pushtet si komunistë të dikurshëm, ndikoi fuqishëm që të bllokohej vetë mekanizmi i ndryshimit politik. Në vend që ndryshimi politik të realizohej nëpërmjet transformimit të forcave politike në qeverisje, ai erdhi si një përplasje midis vetë një pjese të popullit dhe shtetit, duke shkaktuar çarjen institucionale të kohës.

Atëherë kishim socialistë në planin institucional, por komunistë në sytë e partisë së dikurshme në fuqi.

Tani kemi demokratë në rrafshin institucional, por ata janë antidemokratë në sytë e partisë të sotme në fuqi.

Në të dyja rastet, si atëherë, ashtu edhe tani, opozita pranohet vetëm si opozitë, vetëm për të qëndruar në minorancë, vetëm si pjesë e një statukuoje të palëvizur, por jo për të ardhur në fuqi.

Respektim i institucioneve quhet kjo?

Pushteti nuk trajtohet në të dyja rastet si një vend bosh (i zbrazët), por si një vend plotë (i zënë), i palëshueshëm ndaj kundërshtarëve politikë.

Në këto kushte, ndryshimi politik rrezikon të mos realizohet brenda institucioneve, por të sjell një bllokim institucional.

Le të shpresojmë që historia të mos përsëritet, por na duhet të konstatojmë se gabimi po përsëritet.

Urojmë të jetë i sipërfaqshëm dhe i përkohshëm.

Këtu nuk është puna nëse një apo disa intelektualë, teknicienë, analistë, studiues (sokratë – siç i quajnë me ironi tifozët e Formula Uno), besojnë me naivitet ose pa naivitet se një rikthim i mundshëm në pushtet i Partisë Demokratike do të sillte ose jo rrezikun e shprishjes së madhe institucionale të vitit 1997.

Problemi qendron gjetiu.

Puna është se sipas të gjitha gjasave, mijëra konstatimeve në terren, edhe vetë të dhënave të disa sondazheve, sado me rezerva që të merren, ka një pjesë boll të konsiderueshme të elektoratit të sotëm shqiptar, që është e prirur të votojë për Partinë Demokratike. Pra, ajo nuk beson aspak se një ardhje e mundshme e saj në pushtet do të kishte të bënte me katastrofën institucionale të vitit 1997.

Kjo duhet shpjeguar.

Për këtë duhet dhënë përgjigje.

Kjo duhet përballuar.

A mendon kush se çfarë pasojash politike mund të vijnë nga etiketimi i kësaj pjese të elektoratit si mbështetëse e një force të mbiquajtur tërthorazi si jodemokratike? Në fillim hidhet hija e dyshimit mbi një faktor institucional, dhe pastaj stigmatizohet tërthorazi një pjesë boll e gjerë e vetë elektoratit.

Transformimi i elektoratit

Ka vend të mbahet parasysh se ndofta, për herë të parë, pas pesëmbëdhjetë vjetësh, elektorati shqiptar do të votojë në mënyrë të pjekur politike dhe jo sipas sloganeve dhe etheve ideologjike apo në një gjendje traumatike.

Në vitin 1992, ai votoi ideologjikisht për të larguar komunizmin nga jeta e Shqipërisë.

Në vitin 1997, ai largoi administratorët e një pushteti që toleroi dhe nuk diti të kontrollojë skandalin e firmave piramidale financiare, si një dramë e madhe kombëtare.

Më 2001, sapo kishte mbaruar drama kosovare dhe vendi po rigjente ekuilibret politike në rrafshin ndërkombëtar, rajonal dhe kombëtar.

Më 2005, nuk ka më asnjë nga këto tronditje që të japin anime politike kolektive pak a shumë homogjene, që të lejojnë manipulime propagandistike me formula të përgjithshme, që ta bëjnë kombin të votojë për çështje globale shpeshherë mbipersonale, që të lejojnë propaganda tepër globale, të sipërfaqëshme dhe me përmbajtje ideologjike tepër të dukshme, që të injorojnë segmentarizimin e elektoratit, që mund të bëjnë të mundur ta shpiesh elektoratin në kutinë e votimit për të votuar për të ardhmen, duke i mbajtur sytë nga e kaluara.

Këtë radhë ka një ndryshim të madh. Llogaritë e votuesve do të kërkojnë jo thjesht bilance të përgjithshme të shprehura nga slogane ideologjike. Vullneti elektoral vështirë se do të drejtohet nga etiketa ideologjike pa përmbajtje konkrete. Elektorati është i prirur kësaj here të gjykojë jo për të kaluarën, por për të ardhmen, jo për simbolin, por për realitetin, nuk priret të pasionohet pas konflikteve ideologjike midis partive, por kërkon projekte konkrete për të ardhmen, kërkon se çfarë është bërë konkretisht gjatë viteve që kanë kaluar.

Acaruesit e debatit politik, në cilindo krah që të ndodhen, e paraqesin gjendjen sikur vazhdimi i statukuosë politike të sotme, nëse do të dilte nga zgjedhje të ndershme dhe të lira, apo një ndryshim i mundshëm i pushtetit do të përbënte një katrahurë.

Kësaj nuk i beson më askush tani në Shqipëri, veç disa militantëve që kanë interesa personale të lidhura ngushtë me politikën. Por, ata janë shumë pak në krahasim me pjesën tjetër të elektoratit.

Është një shenjë pjekurie e shoqërisë së sotme shqiptare ekzistenca e aktorëve shoqërorë të qëndrueshëm, me status shoqëror autonom, të stabilizuar në gjendjen e tyre shoqërore, të mobilizuar rreth projekteve të mëdhenj: intelektualë, studiues, artistë, teknicienë, gazetarë, nëpunës, administratorë privatë, pronarë mediash, sipërmarrës të mëdhenj dhe të vegjël, grupe drejtuesish organizatash joqeveritare (sokratë të kënaqur), për të cilët edhe një vazhdimësi pushteti, por po aq edhe një ndryshim politik në qeverisje, si pasojë e ardhjes në pushtet të opozitës, nuk kanë ndonjë rëndësi themelore në rrafshin e realizimit dhe pohimit të interesave të tyre të ngushta personale.

Në çdo rast ato do të ishin po aq të mbrojtura.

Kur ata marrin qëndrime politike, duke respektuar pushtetin si një vend bosh nuk e bëjnë këtë për naivitet, porse gjendja është e tillë që iu ka dhënë një autonomi nga politika, nga ethet e militantëve, nga sloganet propagandistike katastrofike, nga ankthet e atyre që politikën e konsiderojnë një mjet për të fituar privilegje, nga ata që politikën e shohin si mjet për të ruajtur postin, karrigen, pushtetin për të bërë apo për të fituar tendera, nga ata që statusin e tyre social dhe ekonomik në shoqëri e mbajnë artificialisht për shkak të lidhjeve personale me këtë apo atë shef politik, me këtë apo atë ministër.

Është një fakt fatlum nëse rezulton i vërtetë konstatimi zyrtar se disa media të fuqishme që janë ngritur, rritur dhe zhvilluar në periudhën e pushtetit socialist të këtyre tetë vjetëve, nuk po tregojnë ndonjë zell për të mbrojtur dhe propaganduar partinë në pushtet. Është një shenjë e pjekurisë së opinionit publik dhe e aktorëve shoqërorë të Shqipërisë së sotme. Kështu do të ndodhë edhe me patronatin, me sipërmarrjen, me institucionet akademike, që pak e nga pak do të fitojnë pavarësinë që duhet nga politika, nga pushteti politik, nga politikanët. Nëse ata po tregojnë një pavarësi ndaj pushtetit të sotëm, kjo është një garanci se po këtë shkallë autonomie, ndofta edhe më shumë, ata do të tregojnë ndaj pushtetit të nesërm, cilidoqoftë ai.

Do të ishte naivitet politik fatkeq që kjo pjesë e elektoratit të quhej naive.

Ajo nuk përbëhet nga disa njerëz, por nga dhjetëra e dhjetëra mijë zgjedhës, shpesh herë hezitues, herë-herë që ndërrojnë pozicione politike, herë – herë abstenues, e herë të tjera që votojnë për individët kandidatë, por jo për ngjyrat e tyre politike partiake, që kritikojnë duke popuar dhe pohojnë duke kritikuar. Është kjo shtresë që po zgjerohet, e cila përbën një garant të fuqishëm për ta mbajtur pushtetin një vend bosh, pra si një univers vazhdimësish apo ndryshimesh politike pa dramë, pa ankth, pa fantazma të kaluarash.

Sa më e gjerë të jetë kjo shtresë, aq më e fortë demokracia.

Në këtë mënyrë do t’i jepet fund apo do të kufizohet edhe korrupsioni administrativ që lulëzon nëpërmjet presionit që i bëhet sipërmarrjes nga ana e administratës.

Zgjedhjet dhe fushatat elektorale do të jenë vetëm periudha rutine pa asnjë tension shoqëror.

Askush nuk do të ketë interes të mbështesë mashtruesit e votave apo të listave zgjedhore.

Ndryshimet politike në pushtet nuk do të interesojnë jetikisht veçse një pjesë fare të vogël të shoqërisë, disa partiakëve, apo funksionarëve në poste politike që edhe ata, nëse nuk do të kishin probleme me drejtësinë, do të gjenin vendin e tyre në koniunkturën e re politike.

Lëkundjet e pushtetit politik do të ishin dramatike vetëm për ata sipërmarrës që përfitojnë padrejtësisht nga privilegjet e pushtetit si edhe për ata nëpunës që kanë pozita administrative të pamerituara.

Për të tjerët, ndryshimi i politikave do të kishte pasoja tepër të ngadalta dhe të pjesshme në jetën e tyre personale. Dhe këta «të tjerë» janë pjesa më e madhe e elektoratit që e sheh tashmë ftohtësisht politikën, pa dramë, pa ankthin se po vinë komunistët, apo po ikin komunistët, pa frikën se erdhën ata të «1997»-ës apo nuk erdhën ata të «1992»-it.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›