Tragjedia solidarizon politikën Berisha shpall zinë kombëtare
E gjithë politika shpreh ngushëllimet për familjet e viktimave. Parlamenti pezullon seancën, flamujt të gjithë në gjysmështizë
Shaban Sulçe
Tragjedia në liqenin e Farkës, ku humbën jetën 16 persona, ka tronditur të gjithë opinionin publik, institucionet dhe politikën shqiptare. Qeveria shqiptare ka shpallur 6 marsin ditë zie kombëtare, ndërkohë që në të gjitha institucionet është ngritur flamuri në gjysmështizë për të nderuar viktimat që humbën jetën në këtë ngjarje tragjike. I gjithë aktiviteti politik i djeshëm është pezulluar, ndërkohë që përfaqësuesit e të gjitha partive politike janë solidarizuar për t’ju gjendur afër në këto momente të vështira, familjarëve dhe të afërmve të viktimave. Përveç ministrave Nishani dhe Ndoka, shumë deputetë kanë qenë të pranishëm në Morgun e spitalit “Nënë Tereza”, për t’iu gjendur pranë familjarëve që identifikonin trupat e të mbyturve. Ndërkaq, drejt qytetit të Beratit janë nisur një numër shumë i madh deputetësh dhe politikanësh, të cilët kanë marrë pjesë në ceremonitë mortore dhe kanë ngushëlluar familjet e viktimave.
Parlamenti
Seanca parlamentare e planifikuar për t’u zhvilluar dje është anuluar. Të gjithë deputetët kanë mbajtur një minutë zi për viktimat e aksidentit. Kryeministri Berisha ka dalë në një konferencë për shtyp, ku pasi shprehu dhimbjen për ngjarjen e rëndë, deklaroi caktimin e 6 marsit, ditë zie kombëtare. “Tragjedi, ngjarja e rëndë që ndodhi në mesnatë ku humbën jetën 16 qytetarë, 8 të familjes Osmani, 3 të familjes Hysa, 3 të familjes Spahiu dhe 2 të familjes Dibra. U shpreh familjeve të këtyre viktimave të pafajshme ngushëllimet e mia më të sinqerta. Këshilli i Ministrave vendosi të shpallë ditën e sotme zi kombëtare. Në të gjitha institucionet shtetërore flamujt të ngrihen në gjysmështizë dhe të mbahet një minutë heshtje”, - deklaroi kryeministri Berisha, i cili vizitoi edhe familjet që humbën njerëzit e tyre në këtë tragjedi.
Ndërkaq, edhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, menjëherë pasi është informuar për ngjarjen e rëndë, ka ndërprerë turin e tij “Dialog me Shqipërinë”, që ishte duke u zhvilluar në rrethin e Kukësit. Ai ka vizituar familjet e viktimave, duke ndarë dhimbjen me ta. “Kemi përjetuar tronditjen e madhe për këtë humbje shumë të rëndë dhe për këtë ngjarje që me të vërtetë përbën një rast zie kombëtare. Ne dëshirojmë t’i shprehim ngushëllimet tona së largu të gjitha familjeve që kanë humbur të afërmit e tyre dhe njëkohësisht do të nisemi për t’u gjendur pranë tyre dhe për të zbutur sadopak këtë dhimbje”, - tha Rama. Edhe Lëvizja Socialiste për Integrim, u ka shprehur ngushëllimet familjeve të viktimave. Zëvendëskryetari i LSI-së, Pëllumb Xhufi, tha se tragjedia e ndodhur ka mbushur me dhimbje dhe trishtim të gjithë popullin shqiptar. Edhe përfaqësuesit e partive të tjera politike në vend kanë shprehur ngushëllimet për tragjedinë e ndodhur, familjeve të viktimave.
7 Mars 2008