E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi: “Tragjedi e rëndë për të gjithë shqiptarët”

Lajmin e humbjes së jetëve të pafajshme në tragjedinë e Farkës e përjetoi me dhimbje e trishtim edhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i cili ka shprehur publikisht ngushëllimet për familjarët gjatë vizitës së tij në Bashkinë e Rrëshenit. Presidenti Topi tha se ngjarja ka sjellë trishtim te i gjithë populli shqiptar. “Sinqerisht nuk mund të gjej fjalë për të përshkruar dhimbjen dhe trishtimin që më ka pllakosur në momentin kur mora vesh lajmin e kësaj tragjedie, që përfshiu tre familje”, - u shpreh kryetari i shtetit, duke vijuar: “Një tragjedi e këtyre përmasave sigurisht të mbush me shumë trishtim dhe njeriu e ka të vështirë të zgjedhë fjalët e duhura. U konsumua një tragjedi, për fat të keq, në konturet e një absurdi. Një pakujdesi të cilën ne po e ndeshim në mënyrë shumë të shëmtuar. Janë shumë jetë njerëzish, jetë njerëzish që fshihen brenda disa çastesh. Ndiej një hidhërim shumë të thellë, para së gjithash për familjarët e mbijetuar, por unë dëshiroj gjithashtu të ndaj dhimbjen time me dhimbjen e familjarëve. Dëshiroj t’u shpreh edhe njëherë familjarëve ngushëllimet më të sinqerta. Zoti ju dhëntë kurajë dhe vullnet për ta përballuar këtë dhimbje kaq të madhe", - tha presidenti Topi. Më tej, kryetari i shtetit ka garantuar familjarët se “së bashku me dhimbjen dhe hidhërimin e thellë që ndiej, dëshiroj të shpreh sigurinë se të gjitha institucionet e shtetit shqiptar do të jenë pranë familjarëve, të cilët, në këto çaste, kanë më shumë se asnjëherë tjetër nevojë për kurajë, ndihmë dhe mbështetje”. Ndërkaq, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i shoqëruar nga Zonja e Parë, Teuta Topi, kanë ngushëlluar personalisht familjet Osmani, të cilat humbën tetë persona në tragjedinë e mëngjesit të sotëm në Liqenin e Farkës, që i mori jetën 16 personave. Gjatë vizitës së ngushëllimit në banesat e familjes Osmani, presidenti dhe Zonja e Parë kanë shprehur dhimbjen e madhe për këtë humbje të rëndë, e cila tronditi mbarë opinionin publik. ”Nuk gjej fjalë, - ka thënë Presidenti i Republikës, - për t’ju shprehur ngushëllimet e mia, pasi tragjedia është jashtëzakonisht e rëndë. Ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe uroj që ta përballoni me forcë këtë moment jashtëzakonisht të vështirë”.

7 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›