E Diel, 1 Nëntor 2026

Vilat qeveritare, banorët s’lejohen të futen në zonë

 

VLORE - Pronarët e zonës së vilave qeveritare në Vlorë u konfrontuan fizikisht edhe dje me Gardën dhe Policinë e Rendit. Që në orët e para të mëngjesit ata tentuan të hapin gardhin me tela me gjemba dhe të futen në pronat e tyre. Por ata nuk u lejuan e për pasojë konflikti i banorëve me gardën e policinë zgjati thuajse gjithë ditën. Përplasjet mes tyre degjeneruan deri në dhunë e plagosje. “Ne do të rrimë këtu deri në finalizimin e futjes në pronat tona, që po na grabiten nga qeveritarët në mënyrë të dhunshme”, u shprehën pronarët të cilët katër ditë më parë fituan gjyqin ndaj gardës, pikërisht për këto prona. Dje ata i kërkuan gardës lejen e ndërtimit të dhënë nga bashkia për ndërtimin e murit. Por askush nuk iu dha atyre një përgjigje. Të drejtën e pronësisë këta banorë e kanë fituar madje edhe në Gjykatën e Lartë. Përplasja tek vilat qeveritare ka sjellë dje edhe reagimin e PS-së, LSI-së dhe G99.
Sipas tyre, përveç faktit që po i dhunon pronën qytetarëve të saj, qeveria po ndërton një mur të paligjshëm dhe po rikonstrukton një rezidencë, që të pushojnë familjarët e kryeministrit.                                 q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›