E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtatë plumba emigrantit, dyshohet për hakmarrje

Një 38-vjeçar ka mbetur i vrarë mbrëmë, gjatë një atentati që i është bërë duke shkuar në banesë. Ai është qëlluar me armë, teksa lëvizte në këmbë në Tufinë, pikërisht në vendin e quajtur "Kafja e Rremes". Sipas policisë, Arben Visha, 38 vjeç, është qëlluar me shtatë plumba pistolete, nga persona që deri në orët e vona të natës nuk ishin identifikuar. Burimet policore bënë të ditur se për këtë ngjarje janë njoftuar rreth orës 21:10 dhe menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar Shërbimet e Komisariatit nr. 4. Ata ishin njoftuar nga kalimtarët e rastit, të cilët kanë dëgjuar të shtënat. Sipas të dhënave hetimore, pavarësisht se Visha kishte marrë shumë plumba në trup, ishte ende gjallë kur u gjet nga kalimtarët dhe u nis për në spital. Rrugës, ai ka ndërruar jetë. Grupi hetimor bëri të ditur se menjëherë ka nisur hetimi për këtë ngjarje të rëndë, që mendohet se ka qenë një atentat i sofistikuar. Sipas të dhënave të para, 38-vjeçari, sapo ishte kthyer nga emigrimi, ku jetonte që prej vitit 1997. Nga skena e hetimit mësohet se ai është qëlluar nga afër dhe mendohet se vrasësit kanë qenë dy. Ndërkaq, pistat e hetimit janë ngritur në dy variante. Nga të dhënat mësohet se njëra prej tyre ka të bëjë me aktivitetin e 38-vjeçarit në emigrim, ndërsa pista tjetër me një ngjarje të vjetër. Sipas policisë, dyshohet se viktima është i njëjti person, i cili ka qenë i dyshuar si bashkëpunëtor në një vrasje në vitin 1997. Megjithatë, kjo mbetet e pakonfirmuar dhe në orët e vona të natës, policia ka hetuar më tej rreth kësaj çështjeje, duke marrë edhe të dhënat e plota të viktimës. Grupi hetimor, i drejtuar nga kreu i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj dhe zv/drejtori për hetimin e krimeve, Artan Cuku, ka shoqëruar disa persona, të cilët mendohet se kanë dijeni për ngjarjen e rëndë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›