E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagoset mbrojtësi i Flamurtarit



Plagoset me dy plumba pistolete futbollisti i “Flamurtarit”. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e djeshme në zonën e Skelës në Vlorë, në mes të dhjetëra kalimtarëve, një pjesë e mirë e të cilëve pushues.

Armando Myrtaj, 20 vjeç, sipas policisë u qëllua me armë zjarri nga një moshatar i tij, pas një grindje që ata kishin bërë me fjalë pak çaste më parë. Myrtaj është transportuar në spitalin e Vlorës, ku është vënë nën terapinë intensive të mjekëve.
Burimet zyrtare të policisë dhe dëshmitarë të skenës pohuan se sherri, i përfunduar me plumba pistolete, u zhvillua rreth orës 20:00 në rrugën e Skelës, 30 m para stadiumit “Flamurtari”. Mësohet se Myrtaj, i cili mban pozicionin e mbrojtësit në skuadrën e tij sapo kishte lënë stërvitjen. Ai ka dalë jashtë, ku është takuar me një të ri tjetër, i cili sapo kishte zbritur nga makina e tij, tip “Opel”. Të dy kanë nisur të grinden në trotuar e në fjalë e sipër, autori është futur në makinë, duke marrë aty një armë tip pistoletë. Futbollisti i ka shkuar nga pas pasi e pikasi qëllimin dhe i ka hyrë në makinë, duke i bllokuar dorën me të cilën mbante armën. Me dorën tjetër e ka qëlluar me grushte disa herë kundërshtarin. Në këtë kohë ka ndërhyrë një person tjetër për t’i ndarë, duke i thënë Myrtajt që të largohej se e neutralizonte ai personin e armatosur. Sapo 20-vjeçari është larguar rreth 10 metra nga makina, autori ka mundur të shpëtojë nga ai që e mbante duke qëlluar në drejtim të futbollistit. Një plumb në këmbë nga larg dhe një tjetër në trup, qëlluar nga afër kanë bërë që futbollisti të humbë ndjenjat. Policia pohoi mbrëmë se personi i tretë i përfshirë në këtë çështje i është afruar autorit të plagosjes me thikë në dorë. Por, ky e fundit e ka neutralizuar në veprim, pasi i ka drejtuar armën e zjarrit. Megjithatë nuk i ka qëlluar, por sapo e ka zmbrapsur është futur në makinë, duke u larguar me shpejtësi. I plagosuri është dërguar në spitalin rajonal dhe pas ndërhyrjes kirurgjikale ndodhet në sallën e reanimacionit. Nga policia e Vlorës, e mbërritur me urgjencë në vendngjarje u deklarua mbrëmë se autori është identifikuar dhe forcat e saj janë në ndjekje të tij. Të dhënat e para flasin për një konflikt të mëparshëm mes dy të rinjve, shkaqet e të cilit nuk dihen ende. Mësohet se autori të jetë kthyer ditët e fundit nga jashtë, duke provokuar dhe një herë sherrin, këtë herë me armë.
Vetëm një muaj më parë u qëllua me armë zjarri në një atentat trajneri i mundjes për të rinj në Vlorë, Klodian Haxhiraj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›