Rama: Asnjë votim në Kuvend, Dritëroi e Pëllumbi kundër bojkotit
Erald Kapri
Opozita do të përshkallëzojë protestat, ndërsa nuk do të marrë pjesë në asnjë votim në Parlament. Këtë qëndrim e bëri dje të ditur kreu i PS-së, Edi Rama, i cili në një konferencë për shtyp, deklaroi se opozita nuk do të tërhiqet nga ky qëndrim. “Fakti që një regjim nuk heq dorë nga rruga e vetë e mbrapshtë, nuk është një arsye që ata që e luftojnë këtë regjim dhe që kërkojnë që punët të shkojnë në rrugë të drejtë, të tërhiqen. Ne nuk tërhiqemi! është e thënë hapur dhe publikisht që do të vazhdojmë betejën tonë, si një betejë për liri dhe të drejta që nuk negociohen”, tha Rama. Kreu i PS-së tha më tej se “unë jam shumë krenar për gjithçka ka bërë PS. Njëkohësisht jam tërësisht në mbështetje të vendimit që ka marrë Grupi Parlamentar, për të mos marrë pjesë në asnjë proces votimi në një Parlament të shpërfytyruar, nga shkelja e të gjitha parimeve dhe vlerave më elementare të parlamentarizmit”. Ai shtoi se jo vetëm që do të ketë një bojkotim të punimeve të Kuvendit, por nga ana tjetër do të ketë një përshkallëzim të situatës. “Nuk do të marrim pjesë në asnjë proces votimi për asnjë nismë që vjen nga ky pushtet, të cilin do ta përballim me të gjithë fuqinë e rezistencës sonë. Në një betejë që do të përshkallëzohet përsëri e përsëri, deri kur Shqipëria të rivendoset në binarët e kushtetutshmërisë dhe të transparencës dhe kur Qeveria e këtij vendi, cilado qoftë ajo, t’ju shërbejë qytetarëve dhe jo të bëjë çka po bën me qytetarët”, bëri me dije Rama.
Paralelizmi
Përpara gazetarëve, kreu i opozitës Edi Rama deklaroi se vendi ndodhet në një situatë të ngjashme, si pas zgjedhjeve të manipuluara të vitit 1996, të cilat ndikuan në ngjarjet e vështira të një viti më vonë. Rama tha se ashtu si 14 vjet më parë, Qeveria po bën të njëjtën politikë me paratë e qytetarëve, vetëm se kësaj here jo me skema piramidale. “çështja prioritare e krizës ekonomike, e cila thellohet përditë në raport me një fakt, atë të ashtuquajturës rritje të pensioneve, nga ana e një Qeverie që sot ka mbërritur në pikën ku realisht pa asnjë ekzagjerim dhe ekuivok mund ta krahasojmë me Qeverinë që udhëhoqi Shqipërinë drejt kolapsit financiar në vitet ‘90. çfarë ndodhi në vitin 1996. Zgjedhjet e 26 majit diktuan për shkak të vizionit të mbrapshtë dhe kuptimit tërësisht të shtrembër të vetë politikës, një sasi marramendëse shpenzimesh elektorale. Në atë kohë le të kujtojmë se paratë u lidhën me nxitjen dhe mbështetjen e skemave piramidale, përmes një huamarrjeje me interesa shumë të larta. Njerëzit i mbyllën atje kursimet dhe gjithçka e lidhën me ato skema. Paratë e mbledhura u depozituan në tri bankat shtetërore. Qeveria njësoj si sot rriti huamarrjen e brendshme nga depozitat e fryra, atëherë përmes bonove të thesarit”, shpjegoi Rama. I pyetur nga gazetarët për alternativën e PS-së, në këto kushte kur ndodhet vendi sipas opozitës, Rama tha se opozita ka si alternativë ndaljen e kësaj situate. “Alternativa jonë në këto kushte, është që të bëjmë gjithçka kemi në dorë për të penguar sa të jetë e mundur në rrugën qorre makinën e kësaj Qeverie që po e çon Shqipërinë në humnerë”, deklaroi më tej Rama.
Dritëroi e Pëllumbi, kundër bojkotit
Erald Kapri
Etërit themelues të Partisë Socialiste, Dritëro Agolli e Servet Pëllumbi, kritikojnë qëndrimet e lidershipit të partisë, për rikthimin e bojkotit ndaj Parlamentit. Dy politikanët e vjetër zhvilluan dje një takim në shtëpinë e shkrimtarit Dritëro Agolli, ku diskutuan situatën aktuale politike si dhe vendimet e lidershipit rozë, për të mos votuar asnjë ligj në Kuvend. Në përfundim të këtij takimi, Servet Pëllumbi bëri me dije për mediat qëndrimin e tyre. Sipas tij, qëllimi i takimit ishte pas qëndrimit të shkrimtari Dritëro Agolli, për rrugën e ndjekur nga PS-ja, si dhe për mënyrën dhe politikat që duhet të ndjekë opozita. “Do të thosha se kjo është një vizitë miqësore, për dy njerëz, si Agolli dhe unë, që kemi lidhur ngushtë jetën politike me Partinë Socialiste, doemos që kemi diskutuar dhe për këtë çështje (vendimi i fundit i PS për kushtëzim të marrëdhënieve me Kuvendin). E rëndësishme është që ne që jemi pak të moshuar dhe kemi qenë themelues të PS, shqetësohemi për aspekte të veçanta, që ne mendojmë se nuk janë në atë nivel që kërkon koha. Në këtë kuptim dhe mbase zoti Agolli ka shprehur ndonjë mendim ndryshe dhe në këto vërejtje dhe unë mendoj se këto vërejtje të Dritëroit duhet të dëgjohen me vëmendje nga lidershipi i PS”, deklaroi Pëllumbi, pas takimit me Agollin në shtëpinë e këtij të fundit. Sipas të vjetërve, në Partinë Socialiste, fatkeqësisht po përdoren të njëjta metoda nga lidershipi i partisë, të cilat nuk sollën ndonjë rezultat, e njëri prej tyre ishte bojkoti i vazhdueshëm i Kuvendit dhe institucioneve. Sipas Pëllumbit, në jetën politike ka shumë mundësi për të bërë luftë politike, por ajo duhet të shtrihet në jetën parlamentare. “E rëndësishme është që të në luftën politike të mos përsëriten të njëjta gjëra kur ato nuk kanë dhënë rezultat më parë”, shtoi Pëllumbi. Duke u ndalur tek e njëjta temë, Pëllumbi tha se me Agollin ndan mendimin se Partia Socialiste duhet të ndjekë rrugë të tjera, për të bërë politikën e saj opozitare. Sipas tyre, kjo politikë duhet të jetë institucionale, çka do të thotë se PS-së duhet të bëjë luftën e saj të fortë brenda Kuvendit dhe jo në rrugë, ose duke bojkotuar punimet e Parlamentit. E duke folur mbi vendimin e fundit të grupit Parlamentar të P-së, për të mos votuar asnjë ligj në Parlament, ish Kryetari i Kuvendit Servet Pëllumbi tha se PS nuk duhet të humbasë shansin për të përdorur 65 deputetët e saj. “Mendimi im për këtë çështje është se forca më e madhe, PS është në Parlament, ka 64 deputetë dhe PS të bëjë një lojë parlamentare bashkëkohore me të gjitha format dhe të gjitha mënyrat. Nuk përjashtoj as edhe largimin nga votimi për raste të veçanta, por gjithsesi mendoj se lufta në institucione, lufta në Parlament duhet të konsiderohet fronti kryesor”, tha më tej Pëllumbi. Ish themeluesi i PS-së vlerësoi gjithashtu se të dyja palët po përpiqen të fitojnë kohë me vendimet që marrin. Ai tha se situata politike ka arritur në një pikë kritike. Sipas tij, maxhoranca po tenton të fitojë gjithnjë e më shumë kohë. Sipas Pëllumbit, një gjë të tillë po bën edhe kreu i shtetit. “Situata politike në vend është kritike, por unë mendoj se të gjithë tani këto po bëhen për të shtyrë kohën, dhe në radhë të parë kërkon të fitojë kohë Kryeministri, maxhoranca të kalojë pushimet, të kalojë gushtin që është pushim politik, jo vetëm për ne, por dhe për Europën, dhe pastaj vjen vjeshta dhe pastaj me të ardhur me të parë. Këtë po bën dhe Presidenti”, tha më tej për mediat, Servet Pëllumbi.