Meta: Zgjedhjet lokale mund të bëhen edhe me Kodin e vjetër
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, tha dje se zgjedhjet lokale do të mbahen edhe nëse opozita nuk do të japë votat për ndryshimin e Kodit Elektoral. Sipas tij, këto zgjedhje do të zhvillohen me Kodin e votuar në vitin 2008, i cili gjithsesi u kundërshtua nga LSI-ja. "Edhe ne mendojmë që Kodi ka nevojë për përmirësime, por kjo nuk do të thotë se në rast se nuk ka një vullnet politik, nuk do të bëhen zgjedhje në Shqipëri, sepse në fund të fundit, Shqipëria ka një Kod Elektoral, të cilin ne nuk e kemi votuar, por që ka marrë 130 vota. Ky ka qenë Kodi më konsensual për sa u përket votave në Parlament, por përderisa ata kërkojnë më shumë transparencë, duhet të kontribuojnë për të përmirësuar Kodin Zgjedhor dhe për këtë u është ofruar mundësia që të marrin edhe rolin drejtues në reformën zgjedhore", u shpreh Meta dje në një prononcim për mediat. Duke komentuar qëndrimin e Partisë Socialiste se, nuk do të votojë asnjë ligj derisa të bëhet transparenca e zgjedhjeve, zv.kryeministri tha se kjo nuk i bën dëm Qeverisë, e cila ka më shumë se 71 vota, por është një veprim destruktiv. "Të kontribuosh në mënyrë negative, të mos votosh ligjet që i duhen integrimit të vendit, që i duhen biznesit, që i duhen transparencës, që i duhen funksionimit më të mirë të drejtësisë, ky është një veprim krejtësisht destruktiv, i cili shpresoj të ketë qenë më tepër një lapsus, sesa një politikë e mirëstudiuar dhe e përcaktuar nga ana e lidershipit të opozitës", theksoi kreu i diplomacisë shqiptare.