“Në Hamallaj pamë fytyrën e vërtetë të pushtetit të Berishës”
Kreu i opozitës, Edi Rama komentoi dje ngjarjet e ndodhura në Hamallaj të Durrësit, kur banorët iu kundërvunë me dhunë policisë, duke shkaktuar disa të plagosur. Rama doli në mbrojtje të banorëve, duke ia hedhur fajin Qeverisë e në veçanti kreut të Qeverisë, Sali Berisha. Dipas Ramës, pushteti i Berishës i nxiti banorët që të ndërtojnë ndërtime pa leje me premtimin e legalizimit ndërsa më pas, sipas tij, Berisha kërkon të lirojë këto territore për të vënë në jetë plane klienteliste të miratuara në KRRTRSH. “Ato pamje janë dy fytyrat e politikës së pafytyrë të Sali Berishës, që nga një anë për interesat e pushtetit të tij në kushtet kur i duhen votat, i nxit njerëzit, i shtyn njerëzit, i frymëzon njerëzit, të investojnë paratë e tyre të gjakut në ndërtime pa leje. Duke e kthyer territorin e vendit në një rrumpallë urbane. Nga ana tjetër, kur i duhet të lirojë territore për të vënë në jetë plane të aprovuara për arsye klienteliste në KRRTRSH, shkon deri në përplasje të tilla. Për më tepër, akoma pastaj gjëja që është edhe më dramatike, e vendos Policinë e Shtetit përballë një reagimi që në fakt është një sfidë që i bëhet vetë shtetit. Ajo që ndodhi është fytyra e shtetit të Sali Berishës, që nuk është shtet dhe që nuk ka fuqi të bëjë asgjë në funksion të së mirës publike”, tha Rama.