E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pagat, sa do rriten për secilën kategori



nertila maho

Qeveria pritet të miratojë këtë javë rritjen e premtuar të pagave për punonjësit publikë. Ministria e Financave tashmë ka kristalizuar qëndrimin e saj lidhur me masën e rritjes për një sërë kategorish, e cila shkon në një mesatare totale rreth 5-7 për qind. Kështu, paga minimale dhe të gjithë përfituesit e saj në sektorin publik dhe privat do të rritet me 5.6 krahasuar me atë ekzistuese. Kreu i Financave, ministri Ridvan Bode, deklaroi dy ditë më parë në Parlament se Qeveria i qëndron besnike politikës së saj për rritjen e pagave, ashtu sikurse miratoi vendimin edhe për rritjen e pensioneve.
Pagat dhe kategoritë
Ministri i Financave, Bode, zbardhi një pjesë të vendimit që pritet të miratohet në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë për rritjen e pagave në seancën parlamentare të dy ditëve më parë. "Pagat maksimale do të rriten vetëm me 2 për qind. Punonjësit e shërbimit civil do të kenë një rritje nga 4-7 për qind, duke mbajtur nivelet më të larta. Pagat më të larta do rriten me 6 për qind. Pagat e punonjësve të ushtrisë me grada sipas hierarkisë do të rriten nga 2-7 për qind. Arsimtarët do të kenë një rritje prej 6 për qind të nivelit të pagave, mjekët do të kenë një rritje prej 12 për qind, kurse infermieret prej 10 për qind", tha Bode në seancën e së enjtes. Kjo rritje pagash dhe pensionesh, edhe pse është parë me skepticizëm nga institucionet ndërkombëtare financiare, nga ana e Qeverisë është justifikuar me rritjen e kërkesës konsumatore në vend. Ministri Bode gjatë daljeve të tij publike në media herë pas here ka shprehur qëndrimin se Qeveria e sheh rritjen e pagave dhe të pensioneve si një mjet në ndihmë të ekonomisë shqiptare.
Borxhi
Ulja e shpenzimeve është cilësuar si mënyra më e mirë për të ulur deficitin buxhetor dhe borxhin publik, por Qeveria këtë vit ka preferuar të "sakrifikojë" investimet publike në vend të rritjes së pagave dhe pensioneve. Kjo e dyta nuk është përkrahur nga FMN-ja apo Banka Botërore. Kreu i Financave, Bode, sqaroi dy ditë më parë se Qeveria nuk po boshatis arkën e shtetit dhe as po merr borxh për rritjen e pagave dhe pensioneve. Për të mbështetur këtë ai, iu referua realizimit të të ardhurave doganore në vend, të cilat për qershorin dhe 6-mujorin në total rezultojnë pozitive. "Në muajin qershor të ardhurat e doganave u realizuan me 104 për qind me të ardhurat fillestare. Janë 2.3 miliardë lekë të mbledhura më shumë se qershori i vitit të kaluar, të ardhurat në doganë janë realizuar 100 për qind, me një rritje prej 16 për qind më shumë se 6-mujori i parë i vitit 2009. Një ekonomi që rrit të ardhurat, në një sektor siç është dogana, nga viti në vit me 16 për qind apo me 28 për qind siç ishte muaji qershor, do të thotë që është një ekonomi që manifeston dinamizëm", tha Bode. Ministri garantoi se nga ana e Qeverisë nuk është marrë asnjë borxh për rritjen e pagave dhe të pensioneve. "U bënë 6 vite në këtë vend që asnjë pjesë e borxhit publik nuk përdoret për paga dhe pensione", tha Bode.

Rritja sipas kategorive

Paga minimale 5.6 per qind Pagat maksimale 2 per qind Shërbimi civil 4-7 per qind Pagat e larta 6 per qind Pagat ushtrisë me grada sipas hierarkisë 2-7 per qind Arsimtarët 6 per qind Mjekët 12 per qind Infermieret 10 per qind

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›