Plagoset me dy plumba 40-vjeçari
Plagoset një 40-vjeçar, policia vihet në kërkim të autorit. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e djeshëm, në aksin e vjetër rrugor që lidh Thumanën me Mamurrasin. Burime nga policia lokale bëjnë të ditur se Petrit Bafti është qëlluar krejt papritur nga një automjet tip "Mercedes Benz" që ka qenë në ecje e sipër. Bafti është qëlluar dy herë me armë dhe ka përfunduar me plagë të rënda në Spitalin Ushtarak të Tiranës, ku ndodhet në gjendje të rëndë për jetën. Policia dyshon se autori ka dashur ta ekzekutojë 40-vjeçarin, pasi atentatori është afruar shumë me makinë dhe ka marrë shënjestër mbi të. Policia ka ngritur postblloqe, por nuk ka mundur ta kapë autorin që është larguar me shpejtësi së bashku me automjetin në drejtim të Fushë-Krujës. Mësohet se në automjet kanë qenë më shumë se dy persona. Pista kryesore është ajo e një ngjarjeje të ndodhur pak ditë më parë, mes të plagosurit dhe atij që dyshohet si autor i krimit dhe ka në qendër një aksident rrugor që ka nxitur konfliktin mes të dyve. Gjithsesi, zyrtarisht nuk është bërë e ditur pista e hetimeve, ndërsa mësohet se mund të ketë edhe konflikte të tjera, në të cilat është përfshirë i plagosuri.
Va.Qy.
Va.Qy.