E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luanin me kallashnikov, plagoset adoleshenti

Luajnë me armë, plagos rëndë shokun. Ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme, në vendin e quajtur "Agjencia" të qytetit të Gramshit. Sipas burimeve zyrtare të policisë lokale, rreth orës 14.50 të së enjtes, E. Avdia, 15 vjeç dhe T. Rrodhe, 16 vjeç, shokë me njëri-tjetrin kanë gjetur një automatik në vendin e quajtur ish- grumbullimi në lagjen ku ata banojnë. Burime nga vendi i ngjarjes së rëndë bëjnë të ditur se djemtë gjimnazistë, pasi kanë gjetur "lodrën e re" kanë filluar të kontrollojnë pjesët teknike të tij, pa ditur se mund t‘u rrezikohej jeta. Nga pakujdesia, 15-vjeçari Avdia ka shkrehur armën në drejtim të shokut të tij. Për pasojë, një plumb ka shpuar në gjoks 16-vjeçarin Rrodhe, i cili është rrëzuar përtokë i gjakosur. Sipas burimeve të Policisë së Gramshit, Rrodhe është transportuar me urgjencë në repartin e kirurgjisë së spitalit të këtij qyteti, ku i është dhënë ndihma e shpejtë dhe më pas, me një helikopter urgjence është nisur për një trajtim të specializuar në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Burimet spitalore nga Gramshi bëjnë të ditur se gjendja shëndetësore e 16-vjeçarit ishte kritike. Ndërkohë, policia ka marrë në pyetje autorin e ngjarjes, për të hetuar nëse arma automatike ishte fshehur aty që nga koha e trazirave të vitit 1997 apo e posedonte pa leje ndonjë person tjetër.

Be.Dy.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›