E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagoset me thikë polici, ndalohen 3 autorët

28/10/2009  Ishte në operacion për kapjen e grabitësve, e qëlluan që të mos i ndiqte

SARANDË – Gjatë një operacioni për të neutralizuar tre grabitësit në qytetin e Sarandës, oficeri i policisë Roland Merko është plagosur me thikë pasditen e martë, rreth orës 15.15, në lagjen nr. 3, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Mish Peshkut”.

Ngjarja e rëndë që fatmirësisht nuk ka përfunduar me humbjen e jetës të përfaqësuesit të ligjit ka shokuar gjithë qytetin bregdetarë, që gjatë dy javëve të fundit ishte “bombarduar” nga një sërë vjedhjes me armë prej tre agresorëve.

Ngjarja

Burime zyrtare nga komisariati i policisë së Sarandës, i thanë gazetës “Metropol” se, një nga tre agresorët që plagosën qëllimisht me armë të ftohtë (thikë) oficerin e policisë Roland Merko, është ndaluar një orë pas ngjarjes. Ndërkohë dy të tjerët janë kapur pak orë më mbrapa. “Shtetasi Geard Cocka, i shpallur në kërkim për vjedhje është ndaluar pas një rezistence që ka bërë në momentin e arrestimit, ndërkohë dy bashkëagresorë të tjerë Xhaferr Bahja dhe Roland Aliaj janë larguar në drejtim të paditur, por janë kapur pak kohë më pas”, shprehen burimet e lartpërmendura. Po të njëjtat burime saktësuan se tre agresorët ishin skeduar si persona me rrezikshmëri të lartë, pasi gjatë dy javëve të fundit ata kanë konsumuar mbi 10 vepra penale, duke vjedhur me armë disa biznese në qytetin e Sarandës. Operacioni fillestar filloi rreth orës 14.00 të ditës së martë, pas një informacioni të siguruar në mënyrë operative. Në momentin ku efektivat e policisë po ushtronin kontroll në banesën e tre autorëve, në befasi oficeri i policisë Roland Merko është qëlluar me grushte dhe me sende të forta. Në përpjekje për t’u vetëmbrojtur, Merko ka nxjerrë armën e zjarrit që mbante me vete dhe e ka shkrepur atë një herë në ajër. Pas kësaj pistoleta i është bllokuar. Tre agresorët janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, duke plagosur qëllimisht në këmbën e djathtë punonjësin e policisë, për të penguar ndjekjen.

Mjekët

Oficeri i policisë i komisariatit të Sarandës, Roland Merko, i plagosur në detyrë me një armë të ftohtë (thikë) pasditen e martë, rreth orës 15.15, në lagjen nr. 3, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Mish Peshkut”, aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Arben Vogli, drejtori i spitalit civil “Petro Nako” të Sarandës, tha se punonjësi i policisë ka marrë plagë të shumë në trup, kryesisht shembje dhe një plagosje në këmbë, por aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.“Gjendje shëndetësore e pacientit është stabilizuar, por për shkak të plagëve të marra është kërkuar ndihma e Ministrisë së Shëndetësisë për të mundësuar transportimin e oficerit të policisë në Tiranë për një mjekim më të specializuar”, tha Vogli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›