Pagesat online, biznesi nuk përfiton nga shërbimi i ri
Shërbimi i deklarimeve elektronike në Tatime nga ana e biznesit, edhe pse ka gjashtë muaj që ka hyrë, nuk po përdoret nga sipërmarrja vendase. Tatimet kanë kërkuar nga biznesi që të përdorin internetin për të bërë deklarimin dhe pagesën e taksave. Sipas tyre, kjo formë do të shmangte kontaktet e drejtpërdrejta mes nëpunësve dhe subjekteve private, duke shkurtuar njëkohësisht kohë. Por bizneset vendase vazhdojnë të preferojnë mënyrën e vjetër të deklarimit dhe pagesës së taksave, atë të qëndrimit para sporteleve, në vend që të përdorin internetin. Kjo është një mënyrë alternative e këtyre pagesave, një shërbim i ri që ofrohet tashmë prej 6 muajsh nga DPT-ja. Përballë një situate të tillë, drejtuesit e tatimeve kanë zhvilluar një tryezë bisedimesh me përfaqësuesit e sipërmarrjes private, për t’i sensibilizuar për avantazhet e deklarimeve elektronike. Sipas drejtorit të përgjithshëm të tatimeve, Arben Sefgjini, deklarimi dhe pagesa “online” e taksave do të shmangte kontaktet e drejtpërdrejta mes nëpunësve dhe subjekteve private, duke shkurtuar njëkohësisht kohë. Përfaqësues të biznesit kërkuan gjithashtu përmirësimin e shërbimit të internetit për pagimin on-line të tatimeve. Një tjetër problem i ngritur nga biznesi, ishte dhe ofrimi i pagesave online edhe në bankat e nivelit të dytë që operojnë në vendin tonë. Sipas tyre, nga 19 banka që operojnë në vend, vetëm 3 prej tyre ofrojnë pagesën e deklarimit elektronik. Reklamimet online nisën gjashtë muaj më parë fillimisht me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar. Por tashmë në mënyrë elektronike mund të paguhen edhe taksat e tjera, si kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, tatimi mbi fitimin dhe tatimi mbi të ardhurat personale. Pavarësisht lehtësive që ofron ky shërbim, deri tani në total janë shkarkuar nëpërmjet internetit vetëm 4 mijë formularë, nga të cilët 260 janë tatimpagues të mëdhenj.
Tatimet, të ardhurat e tremujorit 24 për qind më të larta se 2007-a
Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Arben Sefgjini, gjatë një takimi të zhvilluar dje me biznesin u shpreh se gjatë tremujorit të parë të këtij viti, të ardhurat nga tatimet janë 24 për qind më të larta se në të njëjtën periudhë të vitit 2007. Sefgjini u shpreh se reformimi i administratës tatimore, ndryshimet në legjislacion dhe strukturë, si dhe lehtësimi i procedurave për biznesin ka sjellë edhe rezultatet pozitive gjatë këtij tremujori. Sipas kreut të Tatimeve, Sefgjini, gjatë 3-mujorit u arkëtuan në buxhetin e shtetit 23 miliardë e 971 milionë lekë, kur në të njëjtën periudhë të vitit 2007 u arkëtuan 19 miliardë e 288 milionë lekë. "Gjatë periudhës janar-mars u mblodhën rreth 6.5 miliardë lekë më shumë se në tremujorin e parë të viti 2007 si dhe 2.9 miliardë lekë më shumë se niveli i programuar", - u shpreh Sefgjini.
BSH, dalin në shitje 3.5 miliardë lekë bono thesari
Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, zhvilloi dje ankandin e radhës për shitjen e bonove të thesarit të qeverisë. Sipas Departamentit të Operacioneve Monetare pranë kësaj banke, në këtë ankand Ministria e Financave ofroi për shitje bono thesari me maturim 3-mujor, të cilat emetohen më datë 10.07.2008, me një vlerë totale prej 3.5 miliardë lekësh.
12 Prill 2008