E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagoset një 35-vjeçar, autori në kërkim



LIBRAZHD - Një 35-vjeçar ka mbetur i plagosur në një lokal në aksin Përrenjas-Librazhd, ndërsa policia ka shpallur në kërkim autorin e ngjarjes. Mësohet se Arben Rira, po 35 vjeç, ka hyrë në lokal dhe ka kërkuar pronarin e tij, i cili jeton në Tiranë. Në mungesë të pronarit është paraqitur nipi i tij A. Çerri, të cilin për motive ende të paqarta autori e ka qëlluar dy herë më armë zjarri tip pistoletë. Për pasojë 35-vjeçari është plagosur në këmbë dhe në krah, ndërkohë që autori u largua menjëherë nga vendngjarja. Ndërkaq, të pranishmit në lokal i kanë dërguar të lënduarit drejt Spitalit Ushtarak ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa policia vijon kërkimet për kapjen e autorit i cili akuzohet për tentativë vrasjeje.

Vidhet teli i energjisë, një fshat dy javë pa drita

PUKË - Banorët e fshatit Kabash në Pukë vazhdojnë të kenë probleme me energjinë elektrike. Sipas tyre, përcjellësi elektrik prej 1250 metrash është grabitur sërish nga i njëjti person, sikurse ka ndodhur edhe më parë. Banorët thonë se grabitja e përcjellësit u ka shkaktuar mbi 2 javë mungesë energjie, ndërkohë që autori është ndaluar nga policia dhe më pas është lënë i lirë. Për këta banorë, problem nuk është vetëm mungesa e energjisë, por shmangia e grabitjeve të mëtejshme të përcjellësit elektrik, i cili, sipas tyre, është zëvendësuar çdo herë që është grabitur me qëllim shitjen e tij për bakër.

22 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›