E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reshjet e shumta të shiut, probleme në rrugë e porte



TIRANË - Moti i rënduar me shi deri në shtrëngata ka sjellë vështirësi dhe kaos në qarkullimin e automjeteve në Tiranë dhe rrethe. Nga orët e para të mëngjesit e deri në mesdite, trafiku në kryeqytet si pasojë e motit të keq ka qenë në kaos. Pothuajse të gjitha akset e Unazës së Madhe kanë qenë të bllokuara. Në kushtet e reshjeve dhe temperaturave të ulëta do të vazhdojmë të jemi edhe ditën e martë. Ndërsa që të enjten do të kemi një përmirësim të situatës sinoptike, e cila do të karakterizohet dhe nga temperatura të larta. “Duke filluar nga dita e enjte do të kemi përmirësim të kushteve atmosferike të bregdet dhe në zonën e ulët, ndërsa shirat do të zhvendosen vetëm në zonat malore. Duhet theksuar se edhe pse shirat do të zhvendosen në këto zona, do të jenë me intensitete të dobëta. Përsa u përket vlerave termike, temperaturat deri ditën e enjte do të jenë relativisht të freskëta si në mëngjes dhe në mesditë, ku temperatura më e lartë nuk do të shkojë më shumë se 23 gradë celsius. Duke filluar që nga dita e enjte do të kemi një rritje graduale të tyre dhe fundjava, kryesisht e shtuna dhe e diela, do të kenë mot të kthjellët dhe temperatura të larta”, - thotë meteorologia Lajda Porja. Zonat që kanë pasur më tepër reshje, sipas meteorologëve, kanë qenë ato veriore dhe verilindore, por edhe zonat bregdetare. Bllokime ka pasur dhe në portet e vendit, ku anijet janë vonuar në ankorimin e tyre, ndërkohë që peshkarexhat nuk janë lejuar që të dalin në det.

Sherr mes çiftit të moshuar, hetim burrit 70-vjeçar

DURRËS - Policia ka marrë në hetim një 70-vjeçar pasi është denoncuar nga bashkëshortja për plagosje. Burime zyrtare nga uniformat blu të Durrësit kanë bërë të ditur dje se ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë ndaj të moshuarit me inicialet A. N., lindur e banues në fshatin Sukth. Hetimi ndaj tij ka nisur pasi bashkëshortja e tij me inicialet Z. N., 70 vjeçe, ka bërë kallëzim në polici ku shpjegon se në datën 17 qershor 2010, rreth orës 14:00, pas një debati me të shoqin, ai e ka goditur duke i shkaktuar dëmtime të shëndetit, të cilat u klasifikuan në bazë të ekzaminimit mjeko-ligjor në kategorinë e plagosjes së lehtë. Pasi kanë përfunduar hetimet në vendin e ngjarjes, policia tha se dosja me materiale për veprën penale të “plagosjes së lehtë me dashje” i ka kaluar për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Durrës.

Udhëtonte i dehur, i riu plagoset në
aksident bashkë me të fejuarën

KORÇË - Një i ri është aksidentuar mbrëmjen e dy ditëve më parë me motor, duke shkaktuar edhe plagosjen e të fejuarës së tij. Ngjarja ka ndodhur si pasojë e udhëtimit të drejtuesit të motorit në gjendje të dehur. Burime nga Policia e Korçës thanë se kanë nisur hetimet në gjendje të lirë për veprën penale të “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor” në ngarkim të 21-vjeçarit Doraldi Spaho, banues në fshatin Bitinckë, Devoll. Burime zyrtare nga uniformat blu deklaruan se hetimet ndaj këtij personi kanë filluar menjëherë pasi ai, në aksin rrugor Korçë-Devoll, në hyrje të qytetit të Bilishtit, duke drejtuar motorin me targë YEP 7255, për shkak të shpejtësisë dhe konsumimit të alkoolit, ka dalë nga rruga. Policia ka bërë të ditur se si pasojë e këtij aksidenti, drejtuesi i mjetit dhe e fejuara e tij kanë marrë dëmtime të rënda fizike, ndërsa janë dërguar në Spitalin e Korçës ku ndodhen në gjendje jashtë rrezikut për jetën.

22 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›