Pranga shqiptares, vrau dhe betonoi trupin e një biznesmeni
Artan CENA
ATHINË - Gruaja shqiptare, e cila ka pranuar se ka vrarë një biznesmen grek dhe e ka betonuar në dyshemenë e banjës së shtëpisë, dyshohet se ka vrarë dhe bashkëshortin e saj të parë në Shqipëri. Këto detaje janë bërë të ditura nga media greke. Sipas tyre, gruaja, që njihej si Maria, por që emrin e vërtetë e ka Eva Xhanga, në bashkëpunim me një 38-vjeçar shqiptar, edhe ky emigrant në shtetin fqinj, kanë vrarë 43-vjeçarin grek Tasos Tcagaropulos, trupin e të cilit më pas e kishin betonuar poshtë pllakave të banjës. Ngjarja ka ndodhur një vit më parë. Pas vrasjes makabre në Ahaia, 54-vjeçarja minoritare nga Shqipëria kishte ndërruar shtëpi dhe ishte rikthyer në Athinë. Në kryeqytetin grek ajo kishte marrë me qira një banesë në lagjen “Luca” të Atikisë. Por trajtimi i historisë së zhdukjes së biznesmenit grek në emisionin investigativ në TV, “Fos sto Tunel”, po nxirrte çdo javë fakte të reja. Në këtë kohë, shqiptarja kishte vendosur që të zhdukej. Por, në këtë kohë, ajo ishte identifikuar. Kur ka dalë jashtë banesës ku jetonte me një të moshuar, po priste policia, e cila e arrestoi menjëherë. 54-vjeçarja minoritare, e cila jetonte prej vitesh në Greqi.
Historia plot mashtrime
E arrestuara shqiptare kishte krijuar një histori të sajën. Fqinjëve të rinj, Maria (ose Eva) u kishte thënë se bashkëshorti i saj kishte vdekur në Shqipëri. Mirëpo historia është zbardhur ndryshe. Media greke ka zbuluar se ajo e kishte vrarë me thikë bashkëshortin e parë. Por tragjedia nuk kishte përfunduar me kaq. Dhe vajza e saj kishte vrarë veten pasi siç mësohet nga dëshmitë e zbardhura nga media, ajo nuk kishte duruar tragjedinë që i kishte shkaktuar nëna e saj vrasëse. Në Greqi aktiviteti i saj ishte i gjerë. Ajo mashtronte të moshuar dhe u merrte paratë duke i futur në sherr me të afërmit e tyre. Kur ajo kishte marrë shtëpinë me qira në Luca, bashkë me të moshuarin (ky nuk kishte para, mblidhte hekur dhe e shiste që të mbijetonte), gjithçka kishte ndryshuar. Sapo 54-vjeçaria kishte shkelur në derën e banesës “kasollja” ishte shndërruar në një vilë të bukur. Fqinjët kanë treguar për policinë dhe median se Maria nuk i llogariste paratë që i shpenzonte pa masë.
Vrasja e biznesmenit
E arrestuar ditën e diel, shqiptarja minoritare vetëm dje ka pranuar se ka qenë pjesëmarrëse në vrasjen dhe betonimin e biznesmenit grek. Mesditën e djeshme, para prokurorit të çështjes dhe uniformave blu, Maria ka pranuar se ka vrarë 43-vjeçarin. Fillimisht ajo ishte deklaruar se ishte shqiptare, ndërsa nga të dhënat e fundit, sipas gazetës “To Vima”, bëhet fjalë për një minoritare. Gjatë dëshmisë së saj ajo ka përshkruar para policisë hap pas hapi të gjithë ngjarjen, ku së bashku me burrin e saj të tretë kishin vrarë biznesmenin. “Ai më detyronte të mashtroja burra të moshuar me shumë mënyra dhe nuk më jepte para”, - mësohet se është justifikuar shqiptarja. Fillimisht ajo nuk kishte pranuar krimin. Këmbëngulte se nuk kishte lidhje me vrasjen dhe madje kishte fajësuar shokun e saj 38-vjeçar, edhe ky shqiptar, për ngjarjen. Ky i fundit kishte ndërruar jetë një vit më parë. Gjatë hetimit të djeshëm në hetuesinë e Patras, pas shumë orësh ajo ka pranuar se ka qenë e pranishme në momentin e vrasjes, por vrasësi nuk ishte ajo, ishte ish-bashkëshorti i saj i tretë. Por në fund është dorëzuar duke pranuar gjithçka.
Dëshmitë e tjera
Në Policinë e Patrës kanë dëshmuar edhe dy persona të tjerë. Një nga personat që policia ka marrë në pyetje është dhe 51-vjeçari, pronari i shtëpisë ku u gjet kufoma. 51-vjeçari ka deklaruar se nuk kishte asnjë lidhje me vrasjen. “Unë thjesht dhashë banesën me qira dhe nuk di asgjë tjetër”, - ka thënë ai në polici. Ndaj tij është ngritur akuza e “fshehjes së taksave për banesë të dhënë me qira”. Dëshmitari i dytë është një punëtor shqiptar. Ai dyshohet të jetë personi që telefonoi në një emision televiziv dhe dha informacione për ngjarjen. “Më kërkuan që shkatërroja dushin, mirëpo unë nuk pranova”, - ka thënë ai. Shqiptari u tha policëve se i kërkuan të shkatërronte dushin, mirëpo nuk e kishte bërë pasi pronari i shtëpisë nuk kishte lejë për këtë punë.
Kontrollet anti-Cannabis, vihet në pranga një 76-vjeçar
DURRËS - Një burrë dhe një grua janë vënë në prangat e policisë pasi u janë gjetur të mbjella në bahçet e shtëpive bimë Cancabis sativa. Burime zyrtare nga Policia e Durrësit thanë se në bazë të masave të marra në drejtim të luftës kundër kultivimit të bimëve narkotike, nga bashkëpunimi i Seksionit Kundër Narkotikeve me Komisariatin e Policisë Shijak, dy ditë më parë, në orën 16:00, kanë bërë arrestimin në flagrance të Sulejman Hysës, 76 vjeç, lindur e banues në Shetel dhe Fiqirete Tudës, 47 vjeçe, nga i njëjti fshati. Policia tha se ndalimi i të moshuarit Hysa është bërë pasi gjatë kontrollit të ushtruar në serën e kultivimit të domateve, të ndodhur pranë banesës së tij, janë gjetur 3 bimë me gjatësi nga 190 deri në 210 cm, me karakteristika të njëjta me ato të bimës narkotike të llojit Cannabis sativa. Gjithashtu në pranga është vënë dhe Fiqirete Tuda, 47 vjeçe. Ajo është vënë në pranga pasi policia ka arritur të dokumentojë që 47-vjeçarja kishte mbjellë në serën e domateve të saj, të ndodhur pranë banesës, 5 bimë me gjatësi 190 cm, me karakteristika të njëjta me ato të bimës narkotike të llojit Cannabis sativa. Këto bimë ajo i kishte shkulur sapo ka parë efektivat e policisë të hyjnë në fshat dhe i ka fshehur në magazinën e banesës së vjehrrit të saj N. Tuda, pa dijeninë e këtij të fundit. Ndaj dy të arrestuarve, dosjet hetimore për veprën penale të “kultivimit të bimëve narkotike” i kanë kaluar për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Durrës.
Gërdeci, shtyhet seanca, mungonin pesë avokatë
Seanca për çështjen për tragjedinë e Gërdecit është shtyrë për shkak të mungesës së avokatëve. Çështja mbi tragjedinë e Gërdecit, që shkaktoi 26 të vdekur, mbi 300 të plagosur dhe dëme të shumta materiale, ishte parashikuar të vazhdonte me seancën e radhës dje në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë. Mungesa e pesë avokatëve në seancën ku priteshin të dëgjoheshin dëshmitë e radhës shkaktoi kaos dhe si pasojë trupi gjykues vendosi shtyrjen e seancës në datën 28 qershor. Shtyja e seancës ka sjellë pakënaqësi te të afërmit e viktimave që po ndjekin procesin në çdo seancë, shumica prej tyre dëshmitarë. Çështja “Gërdeci” konsiderohet më e madhja në historinë gjyqësore, pasi përmban 29 të pandehur, (3 të arrestuar) dëgjimin e dhjetëra dëshmive. Të pandehurit akuzohen për shpërthimin e fabrikës së demontimit të armëve “Albademil” më 15 mars 2008. Në tragjedinë e 15 marsit 2008 humbën jetën 26 persona, 300 u plagosën si dhe mijëra banesa e subjekte private u dëmtuan.
Depresion çon në vetëvrasje 56-vjeçaren Truja
VLORË - Një 56-vjeçare është vetëvrarë mesditën e djeshme në qytetin Vlorës. Ajo është hedhur para hyrjes së pallatit ku banonte nga kati i katërt dhe ka humbur jetën menjëherë. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “28 Nëntori”, në qendër të qytetit të Vlorës. 56-vjeçarja prej kohësh vuante nga depresioni dhe mendohet se vendimi tragjik ka ardhur në një moment të vështirë. Viktima është Eli Truja, banore e lagjes "28 Nëntori". Sipas policisë, gruaja është hedhur nga dritarja e korridorit të pallatit gjashtëkatësh ku jetonte. 56-vjeçarja është përplasur në shkallë dhe më pas në sheshpushimin e pallatit, duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Viktima jetonte vetëm me të shoqin dhe mësohet se vuante nga depresioni prej kohësh. Mjekët e spitalit të Vlorës si dhe forcat e policisë kanë bërë këqyrjen e vendngjarjes dhe kanë dalë në përfundimin se e vetëvrara ka gjetur vdekjen nga përplasja me tokën nga një lartësi e madhe. Banorët dhe policia kanë pohuar se gruaja 56-vjeçare kishte bërë tentativa më parë për t'u vetëvrarë. Ajo ndodhej e vetme në banesë në momentin që ka ndërmarrë aktin e vetëvrasjes.
22 Qershor 2010