Procesi, Banda e Durrësit, vijojnë dëshmitë për vrasjet e vjetra
TIRANË - Seanca e radhës në procesin gjyqësor për bandën e Durrësit vijoi dje me dëshmitë e radhës mbi vrasje të vjetra. Dëshmitari Geri Beja, i cili u bë edhe objekt bisede në disa seanca gjyqësore për pyetjen apo për leximet e deklarimeve të tij, ka treguar dje para gjykatës momentin e vjedhjes së automjetit tip “BMW”, me të cilën dyshohet të jetë ekzekutuar Dritan Sallaku. Përpara trupit gjykues të kryesuar nga gjyqtari Gurali Brahimllari, ka deklaruar se ka qenë menaxher ne lokalin “Berluskoni”. Në lidhje me automjetin tip “BMW” ai është shprehur se ka qenë me targa të huaja, ndërsa më pas, për të mos pasur probleme, e kanë kthyer atë me targa shqiptare. Beja ka shpjeguar se këtë automjet e përdornin të gjithë personat që ishin punonjës të lokalit. Beja është shprehur se lokalin e frekuentonte Lulzim Berisha, të cilin e njihte. Për të pandehurit e tjerë të bandës ai është shprehur se nuk i njihte, madje as një person me emrin Tiku nuk e ka njohur. Dëshmitari ka mohuar të ketë pasur kontakte një ditë pas vjedhjes së automjetit tip “BMW” me të pandehurin Lulzim Berisha. Ky pretendim është kundërshtuar nga i penduari Adriatik Coli, i cili u shpreh: “E njoh të pandehurin Geri Beja. Lulzim Berisha vinte me të pandehurin Plaurent Dervishaj te lokal ‘Berluskoni’. Kam qenë prezent kur Lulzim Berisha i ka marrë makinën tip ‘BMW’ para ambienteve të lokalit. Të nesërmen Lulzim Berisha e ka marrë në telefon Geri Bejën dhe i ka thënë që të bënte një kallëzim sikur i kishin marrë makinën. Për këtë gjë e kam të sigurt se kam qenë vetë prezent kur ka folur në telefon”.
Pas deklarimeve të të pandehurit Adriatik Coli, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka bërë kundërshtimin e pjesshëm të deklarimeve të dhëna në vitin 1998 dhe në vitin 2006 përpara oficerit të Policisë Gjyqësore.
22 Qershor 2010