E Shtunë, 31 Tetor 2026

BSH: Jashtë qarkullimit dy 500-lekësha



Kush ka ende në zotërim 500-lekësha të vjetër, duhet të bëjë kujdes. Dy prej prerjeve të vjetra të tyre, tashmë u erdhi fundi. Ato do të mund të përdoren si mjet pagese edhe për 9 ditë, deri në fund të këtij muaji. Banka e Shqipërisë ka vendosur me kohë që të heqë nga qarkullimi dy tipet e vjetra të kartëmonedhës 500-lekëshe, ndërkohë që do të vazhdojë të përdoret vetëm prerja dhe emetimi më i fundit i kësaj vlere. Deri në datën 30 qershor të këtij viti, qytetarët mund të përdorin si më parë kartëmonedhën 500-lekëshe, që në pjesën e përparme ka një grua me një luledielli pranë, vlerën të spostuar në të djathtë, kombinuar me një ornamentikë, ndërsa prapa është dhënë një peizazhi malor i Shqipërisë. Po kështu, 30 qershori do të jetë afati i fundit edhe për 500-lekëshin që në pjesën e përparme riprodhon portretit e Naim Frashërit, shoqëruar me vlerën në qendër, ndërsa prapa është vendosur një libër, brenda të cilit duket një peizazh malor. BSH-ja ka dhënë një afat shtesë deri në fund të këtij viti për të grumbulluar në banka edhe ato kartëmonedha, që kanë mbetur në dispozicion të qytetarëve. Nga 1 janari 2011, ato do të humbasin çdo lloj vlere ligjore dhe do të përdoret vetëm 500-lekëshi me figurën e Ismail Qemalit, kartëmonedhë me elementë sigurie të cilësisë së lartë, me përbërje pambuku.

Shkurt///////////////
Sigurimet e detyrueshme, Tirana dhe Gjirokastra paguajnë më tepër

Çdo shqiptar paguan në vit 20 dollarë për sigurime të detyrueshme dhe vullnetare të automjetit, pronës dhe jetës. Studimi i fundit i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare mbi shpërndarjen gjeografike të sigurimeve, del se gjatë vitit 2009, janë shpenzuar rreth 75 milionë dollarë për kontrata të ndryshme sigurimi, kurse për dëmet janë paguar 15 milionë dollarë. Duke parë hartën e sigurimeve në të gjithë vendin, banorët e Tiranës kanë paguar mesatarisht nga 50 dollarë dhe pas tyre vijnë Gjirokastra me 30 dollarë e Durrësi me 20 dollarë për frymë. Veriu ka nivelin e sigurimit më të ulët, që shkon mesatarisht në 10 dollarë për frymë. Sipas drejtuesve të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, në rang botëror Shqipëria vazhdon të jetë një ndër vendet që ka konsumin më të ulët vjetor për frymë të sigurimeve. Në vendet e rajonit vlera e sigurimit për frymë është rreth 100 dollarë, ndërsa në vendet perëndimore konsumi vjetor i sigurimeve për individ shkon deri në 2.5 mijë dollarë. Të ardhurat nga sigurimi i jetës janë rritur ndjeshëm dhe kjo sidomos për kryeqytetin, pasi për të marrë një kredi në bankë më parë duhet të jesh i siguruar për jetën në kompanitë e sigurimit që ofrojnë këtë shërbim. Sipas të dhënave më të fundit nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në produktet e jetës vihet re se Prefektura Tiranë zë rreth 80 për qind të tregut. Peshën më të madhe prej rreth 73 për qind në të ardhurat e sigurimit të jetës e zë produkti “Jetë debitori”. Ky produkt i sigurimit është kërkesë e bankave të nivelit të dytë për ofrimin e kredive, individëve dhe personave juridikë. Referuar të dhënave, në prefekturat e mëdha, ku është përqendruar biznesi dhe bankat, pesha specifike e produkteve të jetës është më e larta.

Luhatjet e valutës ulin shpenzimet e interesave të kredive

Shpenzimet për interesa që përfaqësojnë rreth 12.1 për qind të totalit të shpenzimeve korrente të realizuara gjatë periudhës janar-prill 2010, rezultojnë me një kursim prej rreth 727 milionë lekësh, si rrjedhojë kjo e kursimit për rreth 396 milionë lekë në interesat e brendshëm dhe rreth 331 milionë lekë në interesat e jashtëm. Sipas Ministrisë së Financave, në raport me planin vjetor interesat janë realizuar në rreth 23.8 për qind, ndërsa krahasuar me një vit më parë, ato rezultojnë rreth 439 milionë lekë më të ulëta, ose rreth 4.1 për qind më pak. Ecuria e shpenzimeve për interesa gjatë katër muajve të parë, në vite ka qenë i luhatur në periudha të ndryshme, ku në vitet 2000, 2004 dhe 2009 konsiderohet i lartë, mesatarisht 11 miliardë lekë.

22 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›