E Hënë, 2 Nëntor 2026

Plagoset për një vijë uji, dy të arrestuar, një në kërkim

01/06/2005  Grindje mes kushërinjve

PUKE – Një konflikt pronësie është mbyllur me një plagosje të lehtë, dy të arrestuar si dhe një tjetër i shpallur në kërkim. Një vijë uji është bërë “mollë sherri” mes dy familjeve, që ishin dhe kushërinj me njëri-tjetrin.

Konflikti ka filluar me fjalë, ka vazhduar me goditje të dhëna nga shatat dhe është mbyllur me kërcënime për vrasje. Lajmi është konfirmuar dhe nga burime zyrtare të policisë së Pukës.

Sipas burimeve zyrtare nga ky komisariat, mësohet se gjatë ditës së hënë është arrestuar në flagrancë shtetasi 33-vjeçar Mhill Leka, lindur dhe banues në fshatin Bushat, të komunës Qelëz, të rrethit të Pukës. Arrestimi i këtij shtetasi erdhi si pasojë e kryerjes nga ana e tij të veprës penale të “plagosjes së lehtë me dashje”, vepër kjo që është kryer në bashkëpunim edhe me shtetas të tjerë.

Shtetasi në fjalë, së bashku me të vëllanë, Kolë Lekën, i cili tashmë është shpallur person në kërkim, në orën 14:30, të datës 29 maj të këtij viti, kanë gotitur me mjet pune, shatë, bashkëfshatarët dhe njëkohësisht të afërmit e tyre Mark Leka dhe Kolë Leka, duke i plagosur lehtë në trup këta të fundit.

Burimet shprehen se shkak i kësaj goditjeje është bërë një vijë uji që shërbente për vaditjen e tokave të të dy palëve, e cila ka qenë mollë sherri midis dy palëve edhe më përpara.

Lidhur me këtë ngjarje është arrestuar edhe njëri nga të plagosurit, shtetasi 35-vjeçar Mark Leka, pasi gjatë konfliktit për vijën e ujit, ky shtetas ka kërcënuar me çifte shtetasit më të cilët ka pasur konfliktin në fjalë. Gjatë arrestimit të këtij shtetasi, blutë e Pukës kanë sekuestruar me cilësinë e provës materiale, armën e gjahut si dhe dy gëzhoja.

Pas kryerjes së veprimeve të duhura proceduriale, materialet në lidhje me këtë çështje i kanë kaluar për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit të Pukës.

Konfliktet e ndodhura për motive pronësie nuk janë të pakta në zonën e veriut. Një copë tokë, apo një vijë uji për vaditjen e tokës bujqësore, ka sjellë jo pak ngjarje, ku është dashur ndërhyrja e uniformave blu të policisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›