E Hënë, 2 Nëntor 2026

Arratiset firma “Teknopol”, punëtorët 6 muaj pa paga

01/06/2005  Kishte një viti aktivitet në Korçë, nuk figuronte e regjistruar në Zyrën e Punës

KORÇE - Firma italiane “Teknopol” me aktivitet në qytetin e Korçës për prodhimin e konfeksioneve, është larguar gjatë natës duke marrë me vete të gjitha pajisjet, makineritë dhe mallin e prodhuar. Ndërkohë, 20 punonjëset e saj kanë mbetur të papaguara për punën e kryer për 6 muaj me radhë.

Të 20 punonjësit e “Teknopol” jo vetëm që kanë mbetur pa marrë rrogën e tyre për 6 muaj me radhë, por ndërkohë kanë mësuar se nuk u janë paguar as sigurimet shoqërore.

Aktiviteti i kësaj firme ka filluar në maj të vitit të kaluar, duke u vendosur në një godinë të marrë me qira në qytetin e Korçës.

Punonjësit e “Teknopolit” nuk dinë shumë për presidentin e kësaj firme, ndërsa mjaftohen duke thënë se italianin e quanin Paolo. Të befasuar nga ikja e Paolos, 20 punonjësit janë paraqitur te zyra e Inspektoriatit të Punës në Korçë, për të kuptuar nëse “Teknopol” ishte larguar në mënyrë të ligjshme nga Korça dhe nëse do të kthehej sërish në këtë qytet. Por, aty kanë marrë vesh se kjo zyrë dinte më pak nga ç’dinin punëtorët, pasi edhe pse italianit Paolo i ishte kërkuar herë pas herë që të paraqiste dokumentacionin, nuk kishin arritur asnjëherë ta siguronin atë. Në këto rrethana dukej qartë se arratisja e firmës fantazmë ishte kryer për të mos ardhur më në Shqipëri.

Nga ana e Inspektoriatit të Punës nuk është pranuar të jepet asnjë lloj informacioni përveç faktit se i është bërë kërkesë Drejtorisë së Përgjithëshme të Inspektoriatit të Punës të bëjë gjithë verifikimet e mundshme mbi këtë firmë konfeksionesh.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›