E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagoset polici i forcave speciale pas komisariatit



Një polic i forcave speciale është plagosur ditën e djeshme me pistoletë në një bilardo. Viktima është Artan Metuku, 35 vjeç dhe autor i plagosjes është Artan Bregasi. Ngjarja ndodhi rreth orës 20:00 të mbrëmjes së djeshme, pas komisariatit numër dy të kryeqytetit. Të dy personat ishin duke luajtur bilardo, ku dhe më pas janë konfrontuar. Sherri ka shkuar deri aty, sa Bregasi të nxjerrë armën dhe të qëllojë ndaj 35-vjeçarit. Menjëherë pas plagosjes, autori është përpjekur që t’i largohet policisë. Megjithatë, forcat blu kanë arritur që të gjejnë vendndodhjen e tij dhe t’i vënë prangat. Artan Metuku është punonjës i forcave speciale numër 712. Mbrëmjen e djeshme ai ishte në një bilardo pas komisariatit numër 2 të kryeqytetit. Të dy, viktima dhe autori, kanë pasur në fillim një përplasje verbale me njëri-tjetrin. Por pas pak çastesh, ata janë konfrontuar fizikisht. Sherri nuk ka mbaruar me kaq, ku autori ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar me të ndaj 35-vjeçarit, duke e lënë të plagosur. Menjëherë pas kësaj, autori i krimit është përpjekur që të largohet. Ai ka tentuar të fshihet, duke u futur në një pallat aty pranë. Megjithatë, policia, e ndodhur në vendngjarje, ka arritur që të gjejë vendndodhjen e tij dhe më pas ta arrestojë atë. Të plagosurit menjëherë i është dhënë ndihma e parë, duke e çuar atë në spital.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›