Policia e Shtetit njofton 200 vende të lira pune
Pas implementimit të gradave, mundësi të reja punësimi për të gjithë ish-punonjësit që plotësojnë kriteret e nevojshme
Policia e Shtetit ofron për të gjithë personat që kanë punuar në strukturat policore dhe dëshirojnë që të rikthehen sërish, 200 vende të lira pune. Kështu, pas implementimit të gradave në këtë institucion, janë krijuar vende të reja pune, duke u dhënë mundësinë të gjithë personave të interesuar për të riveshur uniformën blu, që të aplikojnë për të fituar postin e kërkuar.
Në njoftimin për shtyp të dërguar nga Policia e Shtetit, thuhet: “Për nevoja pune, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë se Shtetit njofton të gjithë shtetasit që kanë punuar në strukturat e policisë dhe dëshirojnë të ripranohen në këto struktura, se duke filluar nga dita e hëna, datë 29 shtator 2008, mund të aplikojnë pranë drejtorive të policisë së qarqeve, ku kanë vendbanimin, për t’u ripranuar në funksionet e lira organike, në përputhje me nenin 58 të ligjit nr. 9749, datë 04.06.2007 “Për Policinë e Shtetit”. Sipas njoftimi për shtyp, në këtë aplikim do të marrin pjese një kategori e caktuar personash. Kështu, kërkesa do të mund të bëhen vetëm nga ish-punonjësit e policisë, që janë larguar nga policia me motivacionin “Për shkurtim të funksionit organik” ose “Me kërkesën e tyre”.
Për të gjithë të interesuarit që do të kërkojnë të marrin pjesë në këtë aplikim, ai fillon prej ditës së sotme. Sipas njoftimit, ish-punonjësit që plotësojnë kriteret e sipërpërmendura dhe dëshirojnë të rikthehen në radhët e policisë, duhet që të aplikojnë pranë drejtorive të policisë së qarqeve. Ndërsa, për sa i përket dokumentacionit që do të dorëzohet, ata do të marrin informacionin e nevojshëm pranë zyrave, ku do të bëhet aplikimi. Pas përfundimit të implementimit të gradave dhe pas përcaktimit të ri të tyre për punonjësit aktualë të këtij institucioni, u krijuan mbi 200 vende të reja pune. Kështu, duke pasur parasysh kërkesat për një procedim normal të punës së kësaj strukture të shtetit, u pa e nevojshme të kërkohen persona të tjerë, të cilët do të plotësojnë vendet e mbetura bosh. Tashmë, për të gjithë ish-punonjësit që plotësojnë kriteret e kërkuara, do të ketë një mundësi të re, për të rifilluar punë në Policinë e Shtetit
v