E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrezik për eksportin e bagëtive shqiptare, nis matrikullimi



Nuk lejohet eksporti i bagëtive në vendet e BE-së

Drejtoria e Bujqësisë: Gjithçka do të normalizohet

Të gjitha bagëtitë e trasha (lopët dhe viçat) brenda vitit 2008 do të jenë të matrikulluara, proces i cili nënkupton mbikëqyrjen veterinare dhe origjinën e të gjitha bagëtive në qarkun e Durrësit. Këto bagëti, të cilat përbëjnë bazën ushqimore shtazore për popullatën, do të jenë të regjistruara me të gjitha të dhënat e tyre që nga lindja e deri në momentin e therjes apo të përdorimit për prodhimin e qumështit.

Sëmundjet e bagëtive të trasha, si antraksi apo lopa e çmendur, të cilat shfaqen herë pas here, kanë vënë në pozita pune Drejtorinë Rajonale të Bujqësisë dhe Ushqimit në Qarkun e Durrësit e cila ka nisur procesin e matrikullimit të bagëtive të trasha dhe brenda vitit do ta përfundojë këtë proces. Drejtori i Bujqësisë Durrës, Jonuz Tafili, tha për “standard” se ”matrikullimi i bagëtive si proces përmbledh një procedurë të tërë. Ky është një proces matrikullimi dhe identifikimi i cili ka si qëllim mbajtjen në monitorim të bagëtive nga ana e veterinerëve që nga lindja e tyre dhe gjatë ciklit që ato ndjekin”. Tafili tha se “për këtë qëllim ato i nënshtrohen mbikëqyrjes veterinare dhe më pas regjistrimit të tyre dhe pajisjes me pasaportë, me karton të verdhë, karton jeshil, regjistër ferme dhe vendosje të numrit në veshin e bagëtisë. Këto masa kanë si qëllim krijimin e efektit të sigurisë ushqimore”. Deri sot janë matrikulluar rreth 9 mijë krerë bagëti të trasha në Durrës dhe Krujë dhe brenda vitit do të përfundojë i gjithë procesi. Ky proces kryhet falas, pasi shpenzimet e të gjithë operacionit i mbulon shteti.

Vitin e ardhshëm këtij procesi do t’i nënshtrohen edhe bagëtitë e imëta. “Shqipërisë nuk i lejohet që të eksportojë produkte shtazore dhe bagëti nëpër vendet e BE dhe vetëm pas përfundimit të këtij procesi do t’i ndizet drita jeshile fermerëve që të eksportojnë bagëti apo produktet e tyre”, - deklaron Tafili për “standard”. Pas përfundimit të matrikullimit të bagëtive nuk do të lejohet që nëpër thertore të shkojnë kafshë të cilat kanë qenë jashtë monitorimit sikurse ka ndodhur deri tashti. Më vonë të gjithë fermerët që do të gjenden jashtë këtijh procesi do ti nënshtrohen penaliteteve që do të parashkojë ligji që nënkupton gjoba me vlera të ndryshme.

Vendi ynë është i fundit në rajon për sa i përket procesit të matrikullimit dhe identifikimit të bagëtive, pasi vende të tilla si Maqedonia, Mali i Zi dhe Kosova e kanë përfunduar atë.

Ndërkohë, Drejtoria e Bujqësisë dhe Ushqimit ka bllokuar gjatë 2 vjetëve 120 tonë mish nga importi, pasi origjina e tij ka qenë nga vende të vendosura në karantinë nga OBU-ja.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›