E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tregtia me Italinë, 25.9 miliardë lekë gjatë tremujorit të parë



Importet e mallrave nga Italia në Shqipëri, gjatë tremujorit të parë të vitit 2008, arritën në rreth 25 miliardë e 979 milionë lekë, kur në të njëjtën periudhë të një viti më parë, u importuan 22 miliardë e 766 milionë lekë mallra. Nga të dhënat e fundit të publikuara nga Instituti i Statistikave, rezulton se Italia vazhdon të mbetet partneri kryesor tregtar i vendit. Me Italinë, sipas INSTAT-it, gjatë këtij muaji eksporti zë 68.1 për qind të totalit dhe importi 28.7 për qind. Eksportet e mallrave nga vendi ynë drejt Italisë arritën në 17 miliard e 647 milionë lekë gjatë tremujorit, ndërsa në tremujorin e parë të vitit 2007, u eksportuan mallra me vlerë 16 miliard e 616 milionë lekë. Në vlerën e lartë të mallrave të importuara nga shteti fqinj, vendin kryesor e zënë makineritë dhe pajisjet teknologjike për industritë e reja dhe për rinovimin e atyre ekzistuese nga sipërmarrësit privatë shqiptarë, por dhe italianë që ushtrojnë aktivitet në Shqipëri. Importi i kësaj kategorie arriti për këtë periudhë vlerën e mbi 6 miliard e 567 milionë lekëve, duke treguar interesin e lartë në rritje të biznesit për futjen në përdorim të makinerive cilësore, kryesisht për sektorët e industrisë tekstile, të materialeve të ndërtimit, si dhe të prodhimit të produkteve agro-industriale. Në vlerën e mallrave të eksportuara drejt shtetit fqinj, vendin kryesor e zë grupi "tekstile dhe këpucë". Eksporti i kësaj kategorie arriti për 3 mujorin, vlerën e mbi 10 miliard e 898 milionë lekëve. Italia është dhe një prej financuesve kryesorë të projekteve për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla e të mesme “SME” në Shqipëri, për ndërtimin e impianteve të përpunimit të mbetjeve të ngurta, për disa projekte në fushën e zhvillimit të sektorit të shëndetësisë, të arsimit dhe infrastrukturës rrugore.

Energjia atomike, ERE shkon të marrë eksperiencë në SHBA

Përvoja amerikane në fushën e shfrytëzimit të energjisë atomike pritet të zbatohet edhe në Shqipëri. Zgjerimit të pritshëm të rolit të Entit Rregullator të Energjisë, përveç sektorit të energjisë elektrike dhe në sektorin e gazit, të hidrokarbureve dhe energjisë atomike, po i paraprihet me shkëmbimin dhe njohjen edhe të eksperiencave amerikane. Në këtë kuadër, një grup pune me specialistë të sektorëve të energjisë të ERE-s, do të zhvillojnë këto ditë një vizitë pune në SHBA, për t'u njohur nga afër me punën e entit rregullator të energjisë në Pensilvani, me të cilin ERE ka një program partnership-i, me Entin Rregullator Federal të Energjisë në SHBA dhe në Uashington D.C. Këtë lajm e ka bërë të ditur për mediat dje kryetari i ERE-s, Bujar Nepravishta. Sipas tij, “gjatë vizitës në Pensilvani, në bazë të programit të partnership-it, do të zhvillohet dhe një seminar, ku ERE do të referojë për tregjet energjetike në Shqipëri, kuadrin ligjor, metodologjitë, tarifat, rregullimet ligjore për tregjet, etj”. Por një ndër qëllimet e vizitës, do të jetë dhe njohja rreth funksionimit të tregut të energjisë atomike, çka diktohet edhe nga kërkesat e shprehura prej disa kompanish të mëdha dhe të fuqishme, për të ndërtuar një central të energjisë atomike edhe në Shqipëri. Vitet e fundit, sektori rregullator i energjisë në Shqipëri është mbështetur nga programe specifike të USAID-it, lidhur me rregullat në sektorin e tarifave, të licencave, lejeve, metodologjitë që zbatohen etj.

Importuesit njoftojnë për një rritje të re të çmimit të naftës

Çmimi i naftës ka shënuar në bursa rekord të ri historik, duke kapur kuotën e 122.7 dollarëve për fuçi. Brenda një dite, ari i zi ka shënuar një rritje prej rreth 2 dollarësh. Kundrejt një viti më parë, çmimi i naftës është dyfishuar dhe kjo ka vendosur në alarm qeveritë e të gjithë botës. Rritja e çmimit të naftës pritet të reflektohet së shpejti edhe në vendin tonë. Importuesit e karburanteve deklarojnë se rezervat janë në përfundim dhe kompanitë kur të furnizohen me çmimin e ri, rritjen do t’ia faturojnë konsumatorëve. “Çmimi i shitjes varet nga çmimi në bursa, nga çmimi fiskal dhe 10 për qind që është norma e fitimit të tregtarit. Që të ulet çmimi duhet ndërhyrë te çmimi fiskal dhe këtë mund ta bëjë vetëm qeveria”, - tha Viktor Nushi, kryetar i Shoqatës së Hidrokarbureve. Sipas tij, rritja e çmimit të karburanteve mund të shmanget vetëm nëse qeveria ul akcizën. Aktualisht, në pikat e karburanteve, nafta “D2” shitet me 144 lekë për litër, nafta e cilësisë së parë e njohur ndryshe si eurodizel tregtohet 148 lekë për litër dhe po kaq edhe benzina.

8 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›