Plagosin të riun se iu gërvishi makinën
Policia shpall në kërkim dy autorët e plagosjes me thikë mbrëmjen e së dielës pranë ish- ekspozitës
TIRANË- Gërvishja e makinës i rrezikon jetën një të riu 19 -vjeçar në kryeqytet, i cili ka mbetur i plagosur nga dy persona të cilët janë shpallur në kërkim nga policia. Eugert Sina, 19 vjeç, mbeti i plagosur të dielën në mbrëmje vonë, përpara një bilardoje, e vendosur mbrapa ish- ekspozitës "Shqipëria Sot", pas një konflikti për gërvishjen e një automjeti.
Autorët, sipas burimeve të policisë, janë identitifikuar dy persona të cilët janë larguar nga vendi i ngjarjes ndërsa tashmë janë në listën e të kërkuarve. Mësohet se konflikti midis Sinës dhe autorëve të plagosjes, emrat e të cilëve nuk janë bërë të ditur nga Policia e kryeqytetit për shkaqe hetimi, e ka zanafillën disa ditë më parë, kur është gërvishur dhe makina e dy autorëve që dyshohen nga uniformat blu se kanë kryer plagosjen me thikë.
Pikërisht gjatë këtyre momenteve dy personat që kanë goditur të riun me thikë, kanë pretenduar se Sina ka gërvishur makinën me të cilën ata lëviznin disa ditë më parë, duke nisur kështu sherrin me fjalë, por që përfundoi me përdorimin e thikës. Dëshmitarët e sherrit midis adoleshentëve, kanë lajmëruar uniformat blu, ku për pak minuta në vendin ku ndodhi plagosja mbërritën efektivat e Komisariatit të Policisë Nr. 2, duke kryer të gjitha veprimet hetimore.
"Në ato momente po shërbeja jashtë në lokal, kur dëgjoj sherrin midis të rinjve, por sapo u afrova pashë vetëm të plagosurin që ishte ulur në tokë, nga plaga që kishte marrë, ndërsa autorët u larguan me shpejtësi"- tregon njëri prej kamerierëve që punon përballë vendit ku u plagos Eugert Sina.
Ndërsa i plagosuri është dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak, ku pas marrjes së ndihmës së parë mjekësore, gjendja e tij është stabilizuar. Sipas burimeve të Policisë, mësohet se pasi kanë goditur disa herë të riun me thikë, dy bashkëmoshatarët e tij janë larguar nga vendi i ngjarjes, por jo për të mos u dorëzuar përfundimisht në ambientet e Policisë.
Fillimisht dy personat që ishin të dyshuar nga Policia e kryeqytetit si autorë të plagosjes së 19- vjeçarit Eugert Sina, nuk kanë pranuar të dorëzohen në Polici edhe pse uniformat blu kishin negociuar për dorëzimin e tyre.
Pesë të plagosur në dy të aksidente në kryeqytet
TIRANË- Pas plagosjes së tre këmbësorëve me makinën e tij do të ndiqet penalisht. Policia e kryeqytetit do të hetojë në gjendje të lirë Ardian Kacurrin, 40 vjeç, pasi dyshohet të jetë autori i plagosjes me makinë së tre këmbësorëve në Tiranë, tek Mbikalimi i Kamzës.
Burime nga Seksioni i Hetimit të Aksidenteve Rrugore pohojnë se Kacurri me banim në kryeqytet, duke drejtuar mjetin tip "Benz" me targa TR 3434 L, ka aksidentuar rreth orës 17 të ditës së diel këmbësorët, Durim Balliu, Fjorela Balliu dhe Blirena Algjoni, të tre banues në Kamëz. Pas aksidentit efektivat e Policisë Rrugore kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, ku kanë kryer të gjithë veprimet hetimore.
Sipas të dhënave të Policisë, tre të plagosurit pas dëmtimeve që kanë pësuar në aksident, janë dërguar në Spitalin Ushtarak, ku pas marrjes së ndihmës mjekësore ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Autori i dyshuar i aksidentit, akuzohet për veprën penale të "shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor".
Po gjatë të dielës, një tjetër aksident ka ndodhur në Tiranë, me pasojë një të plagosur, në aksin rrugor kthesa e Bathores- Kamëz. Nga të dhënat e Policisë së kryeqytetit mësohet se drejtuesi i një automjeti, i cili nuk është identifikuar, ka aksidentuar një këmbësor me emrin Xhemal Mena. I dëmtuari nga aksidenti, pas ndihmës që ka marrë në Spitalin Ushtarak, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë Policia po punon për identifikimin dhe arrestimin e autorit të aksidentit, i cili përveç akuzës së "shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor", akuzohet për veprën penale të "largimit nga vendi i aksidentit".