E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fieri, KQZ-ja i lë PS-së mandatin e 9-të

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rrëzon kërkesën e PDI-së për pavlefshmëri të disa qendrave të votimit


TIRANË- Ka dështuar mazhoranca e djathtë në përpjekjen e saj më të fundit për t'i marrë sërish Partisë Socialiste mandatin e nëntë të deputetit në qarkun e Fierit.


Megjithëse ka tentuar sërish, duke përdorur një makinacion në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, nëpërmjet një kërkese të re të partisë së çamëve për Drejtësi dhe Integrim, për të shpallur të pavlefshme disa qendra votimi në këtë qark, të djathtët për mungesë kuorumi votash, nuk kanë mundur dot që të ndryshojnë rezultatin në këtë zonë zgjedhore, duke lënë në fuqi vendimin e para disa ditëve, ku PS-ja merr 9 deputetë, PD-ja 6 dhe LSI-ja 1.

Kërkesa


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mes shumë debatesh ka marrë në shqyrtim dje kërkesën ankimore të Partisë për Drejtësi dhe Integrim (PDI), e cila kërkonte shpalljen të pavlefshme të 4 kutive të votimit në ZAZ-të 18 dhe 20 në zonën zgjedhore të qarkut të Fierit.


Pas prezantimit të kësaj kërkese nga përfaqësuesi ligjor i kësaj force në KQZ, debati është zhvendosur mes anëtarëve dhe përfaqësuesve të dy kampeve kryesore, të cilët në vijim të diskutimeve edhe të një seance më parë, kanë dhënë fillimisht argumentet pro dhe kundër përfshirjes së kësaj kërkese në diskutim.


Përfaqësuesi socialist në këtë institucion, Genci Gjonçaj ka ngritur edhe një herë shqetësimin e tij lidhur me pamundësinë ligjore të KQZ-së për të shqyrtuar një kërkesë të tillë, për të cilën ai, ashtu si gjithë anëtarët e majtë të këtij komisioni, kanë pretenduar se është jashtë afateve ligjore.


"Për objektin e saj më duhet të saktësoj se jemi përpara një kërkese për çështjen e gjykuar. KQZ-ja ka hetuar dhe ka vendosur vetë në lidhje me këto qendra, prandaj rikthimi për gjykim është i paligjshëm", - tha Gjonçaj.


Ndërkohë, sipas demokratëve, kërkesa ka legjitimitet për vetë faktin se ajo nuk ankimon tabelën e rezultateve të miratuara më datën 7 korrik, por godet pikërisht produktin e hetimit administrativ të KQZ-së që u miratua më vendimin e datës 13.


Sipas Kosovrastit, PDI s'do kishte asnjë interes për të bërë ankimim në rast se në fuqi do të ishte vendimi i datës 7 korrik, pasi me atë vendim ata merrnin një deputet. Kosovrasti ka theksuar se janë pikërisht kutitë me numër 3185, 3188, 3196 dhe 3006 që u përfshinë në tabelën përmbledhëse të rezultateve ato që bënë të ndryshohet rezultati në favor të socialistëve.


"Të gjithë ne i pamë këtu ato kuti, të cilat pavarësisht problematikave të ndryshme nuk plotësonin kriteret ligjore për t'u quajtur të vlefshme, ju i miratuat. Për dy prej tyre, pavarësisht se kishte një vendim KZAZ-je, ju pranuat t'i përfshinit në tabelën përmbledhëse, duke marrë të mirëqenë një rezultat të dyshimtë. Ndërsa për kutitë e tjera ju pranuat të njihni si vota të vlefshme fletë votimi që vetëm ashtu nuk ishin", - tha përfaqësuesi socialist, Njazi Kosovrasti.


Propozimi


Të vetëdijshëm për mungesën e numrave të duhur për të miratuar një kërkesë të tillë (pavlefshmëria kërkon 5 vota), të djathtët kanë nxituar të shmangin debatet dhe ta kalojnë atë për votim, duke ndarë qendrat e votimit nga njëra-tjetra, me qëllimin e vetëm që të seleksiononin prej tyre dy qendrat e para, pra ato me numër 3185 dhe 3188, për të cilat ata kanë pasur dhe më shumë vërejtje.


"Unë personalisht do ta konsideroja një kërkesë të tillë legjitime, pasi vjen brenda afateve të përcaktuara në kod, ndërsa për objektin do të isha pro shpalljes së pavlefshme të dy qendrave të Libofshës", - tha Ristani, duke ftuar KQZ-në që të votojë për pavlefshmërinë e këtyre qendrave, pavarësisht se ai, së bashku me anëtarin tjetër Klement Zguri, disa ditë më parë votuan pro përfshirjes së këtyre dy qendrave në tabelën përmbledhëse të rezultateve.


Ndërkohë, nënkryetarja e KQZ-së para se të votonte ka kërkuar që të administroheshin së pari provat dhe së dyti të bëhej një seancë konsultimi me KZAZ-në 20, për të dëgjuar prej saj arsyet dhe veprimet e ndjekura për këto dy qendra. Por me shumicë votash anëtarët e djathtë kanë hedhur poshtë një propozim të tillë, duke e konsideruar konsultimin me këtë KZAZ të panevojshëm.


Pas votimit për kërkesën e PDI-së ka rezultuar se ajo për dy qendrat 3185 dhe 3188 ka marrë 4 vota pro dhe 3 kundër, ajo për kutinë 3196 ka marrë 5 vota kundër dhe dy pro, dhe ajo për 3006 ka marrë 3 vota pro dhe 4 kundër, pra pa mundur që të miratohet asnjëra.


Në rast se do të ishte miratuar qoftë edhe njëra nga këto kërkesa, atëherë balanca e mandateve do të ndryshonte sërish në favor të së djathtës, pasi diferenca e votave mes herësit të 9 të PS-së dhe herësit 7 të PD-së është vetëm 157 vota. Megjithatë, kërkesa e PDI-së nuk ka qenë pa asnjë vlerë, pasi tani kjo forcë do të mund të përdorë vendimin e djeshëm të KQZ-së për ta goditur atë në Kolegjin Zgjedhor.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›