Sherr për tokën, vret me thikë djalin e xhaxhait
• Krimi brenda familjes shënon viktimën e parë për këtë vit në rrethin e Malësisë së Madhe.KOPLIK/ Ritvan DibraNjë 53-vjeçar është qëlluar me thikë nga djali i xhaxhait, pas një grindjeje për motive pronësie mes tyre. Mesditën e djeshme humbi jetën Zydi Hasani, ndërsa si autor është identifikuar dhe arrestuar një orë më vonë kushëriri i tij 67-vjeçar, Qamil Hasani. Polica ka arritur që të bllokojë dhe armën e krimit, si provë kyçe për të fajësuar Hasanin. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 13:00, në fshatin Grudë-Fushë të Malësisë së Madhe. Sipas informacioneve nga Drejtoria e Policisë së Shkodrës është mësuar se mes dy kushërinjve kishte nisur një konflikt që në orët e para të mëngjesit, në lidhje me një rrip toke për të cilën të dy palët kishin pretendime se i takonte. Konflikti ka nisur në oborrin e shtëpisë së viktimës Zyhdi Hasani. Fillimisht dy djemtë e xhaxhallarëve kanë nisur me ofendime kundrejt njëri-tjetrit. Të ndodhur në një situatë të tillë, 53-vjeçari ka dashur të hyjë në banesë, por kushëriri e ka ndjekur nga pas dhe në shkallët e jashtme të shtëpisë e ka qëlluar me thikën që mbante me vete, duke e plagosur rëndë atë. Të afërm kanë gjetur një makinë për ta transportuar të lënduarin për në spitalin e Shkodrës. Megjithëse mjekët kanë bërë ndërhyrjen e menjëhershme, ata nuk kanë arritur që ta shpëtojnë nga vdekja 53-vjeçarin. Sipas mjekëve viktima kishte vetëm një plagë me thikë, afër zemrës e për pasojë të humbjes së madhe të gjakut viktima ndërroi jetë. Me të marrë informacion efektivët e policisë së Qarkut Shkodër si dhe një grup i FNSH-së janë nisur me shpejtësi në drejtim të fshatit Grudë-Fushë. Pasi kanë mësuar në lidhje me shkaqet e kësaj ngjarjeje të pazakontë në rrethin e Malësisë së Madhe ato janë vënë menjëherë në ndjekje të autorit të ngjarjes. Fillimisht ata janë drejtuar për nga shtëpia e Qamilit, ku dhe e kanë gjetur të ngujuar brenda, nga frika e ndonjë hakmarrjeje të mundshme nga familjarë të viktimës. Sapo ka parë uniformat blu që t’i drejtohen shtëpisë ai u është dorëzuar atyre pa rezistuar fare madje u ka treguar se ku e kishte lënë thikën me të cilën kishte kryer vrasjen. Pas marrjes në pyetje paraprakisht mësohet që Qamili t’u ketë pohuar policëve se gjithçka ka ndodhur në gjaknxehtësi e sipër dhe se ai ka dashur vetëm që t’i bëjë presion kushëririt të tij, po jo ta vrasë atë. Po dje, Qamil Hasani është sistemuar në qelitë e paraburgimit të komisariatit të Koplikut dhe pritet që të hënën të dalë para togave të zeza për të marrë masën e sigurisë. Sipas burimeve nga prokuroria, dosja ndaj tij është e kompletuar, pasi edhe arrestimi i Qamilit, vetëm një orë pas ngjarjes, është kryer pothuajse në kushtet e flagrancës, duke grumbulluar edhe prova të bollshme për ngjarjen e rëndë. Precedenti në fisBesim Morina, vetëm 17 vjeç u ekzekutua mbrëmjen e së enjtes në fshatin Pus i Thatë të Hasit nga kushëriri i tij. Policia pohoi se Xhevit Morina, 48 vjeç qëlloi për vdekje adoleshentin, pas një grindjeje që kishin pasur në mesditë për një sipërfaqe me drurë të prerë në pyjet e fshatit. Konflikti i parë u mbyll me ndërhyrjen e policisë, por në rastin e dytë, uniformat blu nuk ndaluan dot krimin.