E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagosja e tre shqiptarëve në Greqi, 4 “grabitës” në kërkim



GREQI – Katër persona janë shpallur në kërkim sipas policisë greke, pas ngjarjes kriminale të ndodhur mesnatën e së dielës, ku tre pasagjerë shqiptarë u plagosën në një lokal mes Patrës dhe Agrinios në Greqi, ndërsa po udhëtonin me autobusë drejt Shqipërisë. Policia greke ka deklaruar dje se hetimet për ngjarjen kanë avancuar me identifikimin e katër personave të dyshuar, emrat e të cilëve nuk janë bërë të ditur. Ndërkohë janë mësuar detaje nga dëshmitë e dhëna prej pasagjerëve që ndodheshin të pranishëm në restorantin 24-orësh ku ndodhi ngjarja. Pasagjerët kanë thënë se konstatuan se grabitësit nuk flisnin mirë greqisht kur i urdhëruan personat e pranishëm të uleshin përtokë në kohën kur hynë me armë më restorantin ku po pushonin shtetasit shqiptarë. Rreth orës 01:00 pas mesnate të dielën, tre shtetasit shqiptarë, Efimi Bika, 64 vjeçe, nga Përmeti, Vangjel Stavro, 15 vjeç, lindur në Athinë Soni Hodaj, 29 vjeç, nga Fieri, u plagosën me armë zjarri nga autorët e tentativës së grabitjes në Agrinios. Tre të plagosurit kishin zbritur nga autobusi dhe po pushonin në restorantin 24-orësh në kohën kur katër persona kanë hyrë në lokal, tre nga dera e përparme dhe njëri nga dera e pasme, të gjithë me maska në kokë dhe me armë Kallashnikov në duar. Sipas dëshmitarëve nga vendi i ngjarjes, ndërsa grabitësit po qëllonin me armë dhe po bërtisnin, disa prej shqiptarëve të pranishëm kanë thyer xhamat e dritareve për të dalë nga lokali si pasojë e breshërive të plumbave. Autorët e krimit kanë qëlluar edhe në drejtim të tre autobusëve që transportonin pasagjerët në kohën kur mjetet ishin parkuar pranë restorantit 24-orësh. E plagosura 64-vjeçare, Afimi Bika, sipas policisë ndodhet jashtë rrezikut për jetën duke marrë kurime në spitalin e Agrinios. Për shkak të kriminalitetit të lartë në këtë zonë, shumë biznesmenë “pajtojnë” elementë kriminalë apo persona me pushtet në zonë, për t’u ruajtur bizneset gjatë natës, veçanërisht në rastet kur shërbimi që ofrojnë është 24-orësh. Policia tha se po heton një mosmarrëveshje të mundshme mes autorëve të ngjarjes dhe pronarëve të restorantit ku ndodhi ngjarja, njëri prej të cilëve është shqiptar dhe tjetri grek.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›