Presidentit Topi i zvogëlohet pasuria nga tërheqjet në banka
Viti 2009 nuk ka qenë tepër i mbarë për Presidentin e Republikës, Bamir Topi, i cili gjatë vitit 2009 ka një zvogëlim të parave në llogaritë bankare. Gjatë vitit të kaluar, kreu i shtetit ka ndërmarrë një investim në masën prej 3.5 milionë lekësh, për të ndërtuar një banesë. Më pas, ai deklaron se ka një njësi të pakët të parave, si në banka, ashtu edhe në gjendjen cash që ka në banesë. Kreu i shtetit deklaron fitimet nga paga e tij si President, e cila është afërsisht 2.5 milionë lekë, ndërsa e bashkëshortes vetëm 900 mijë lekë. Ai vijon të ketë një detyrim për shlyerje kredie për një banesë nga Enti Kombëtar i Banesave, ndërsa kanë mbetur edhe 1 milionë lekë për të shlyer. Kreu i shtetit paguan studimet e njërës prej vajzës në universitet privat, në masën prej 2 mijë eurosh në vit. Nga ana tjetër, zonja e parë, Teuta Topi, deklaron të ardhurat e saj nga paga si dhe një llogari bankare e cila është pakësuar në afërsisht 140 mijë lekë gjatë vitit të kaluar. Një tjetër detaj është se vajza e tyre ka krijuar një burim të ardhurash prej 229 mijë lekësh nga puna në Bankën e Shqipërisë gjatë vitit 2009.
Deklarata e pasurisë
- Kontratë porosie për ndërtim banese, 2 kate në vlerën 3.5 milionë lekë
- Shtesë në llogari bankare në Credins bank në shumë 11.658 lekë
- Pakësim në llogarinë rrjedhëse në Raiffeisen Bank në shumën 608 411 lekë
- Pakësim cash, në masën 1 milionë lekësh
- Llogari rrjedhëse për pagat në emër të Nada Topi, në shumën 45 mijë lekë
- Të ardhura nga paga, 2.483.564 lekë
- Të ardhura nga paga e bashkëshortes 904 598 lekë
- Të ardhura nga vajza 229 526 lekë
- Detyrim kredie 1 milionë lekë
- Detyrim për studimet e vajzës 2 mijë euro
- Pakësim në llogarinë e Teuta Topit, prej 141 317 lekë