E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zyrtari i Ministrisë kërkohet nga FBI



Punonjësi i Ministrisë së Jashtme, Almir Rrapo, i arrestuar javën e kaluar më 2 korrik në Ambasadën Amerikane në Tiranë, është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Byroja Federale e Hetimeve, FBI, në SHBA. Burime të Prokurorisë së Përgjithshme në Tiranë pohuan dje se janë vënë në dijeni të fletë-arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga FBI ndaj shtetasit shqiptar për akuzat e trafikut të drogës, rrëmbim personi dhe shantazh. Sipas organit të akuzës në Tiranë, dosja penale amerikane ndaj shtetasit shqiptar ende nuk ka mbërritur në Shqipëri, ndërsa pala amerikane pritet ta dërgojë atë brenda 40 ditëve së bashku me kërkesën për ekstradimin e Almir Rrapos në SHBA, ku pritet të përballet me drejtësinë për krimet që i faturohen. Në pritje të dosjes së zyrës së FBI-së në Nju Jork, prokuroria shqiptare kërkoi në gjykatë masën e arrestit për të dyshuarin derisa autoritetet amerikane të sjellin dokumentacionin e nevojshëm për ekstradimin. Sipas prokurorisë, marrëveshja e ekstradimeve Shqipëri-SHBA parashikon ekzekutimin e arrestit dhe dorëzimin e të kërkuarit 40 ditë pas ndalimit në Shqipëri.
Reagon avokati në SHBA
Menjëherë pasi është vënë në dijeni për arrestimin e klientit të tij, ka reaguar dje avokati i Almir Rrapos, zyrtarit të Ministrisë së Jashtme, që ra në pranga të premten ndërsa po aplikonte për vizë në Ambasadën Amerikane. Burime nga Policia e Tiranës thanë se menjëherë pasi është dhënë masa e sigurisë nga gjykata për 27-vjeçarin e arrestuar, avokati i tij ka hedhur idenë se gjithçka është një ngatërresë. Ai ka kontaktuar me përfaqësues të policisë në kryeqytet, duke shpjeguar se autoritetet amerikane kanë shpallur në kërkim një tjetër person, por jo Almir Rrapon, personin që është arrestuar. Sapo është informuar për arrestimin e 27-vjeçarit, i cili priste të merrte një vizë turistike për në Amerikë, avokati i tij është interesuar për dosjen në ngarkim të personit Almir Rrapo, që pretendohej se kërkohej për posedim lëndësh narkotike. Sipas tij, ka rezultuar se personi që autoritetet amerikane kanë shpallur në kërkim, ka të njëjtin emër e mbiemër me klientin e tij, madje edhe të njëjtën vendlindje dhe vendbanim, por ndryshimi mes tyre është mosha. Sipas avokatit të zyrtarit të Ministrisë së Jashtme, personi i vërtetë që kërkohet nga Amerika është rreth 10 vjet më i madh në moshë se i arrestuari në Tiranë.

I kërkuari u zbulua kur aplikoi për vizë
Më 2 korrik 2010 Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka njoftuar arrestimin e Almir Rrapos, 27 vjeç, për llogari të autoriteteve amerikane. Punonjësi i Ministrisë së Jashtme ishte paraqitur për të marrë një vizë në Ambasadën Amerikane në Tiranë, ndërkohë që figuronte në kërkim nga FBI në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Policia shqiptare është vënë në dijeni sipas procedurës së zakonshme dhe menjëherë është organizuar operacioni për arrestimin e 27-vjeçarit. Policisë shqiptare i ka mbërritur konfirmimi nga SHBA se, personi që po kërkonte vizën ishte i shpallur në kërkim nga autoritetet amerikane.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›